Kosova

Vrasja në Gjilan, arrestohet i dyshuari i pestë – Haziri kërkon nga Policia të zbardhet rasti


Vendi ku ka ndodh vrasja

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe të dyshuarin e pestë, me inicialet R.I., mbi dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e ndodhur të hënën në Gjilan.

Ndërkaq i kryetari kësaj komune, Lutfi Haziri, ka thënë se është tronditur pas ak​tit të vrasjes së një personi dhe të plagosjes së një tjetri në Gjilan, gjatë ditës së hënës.

Ai ka ftuar organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë rast deri në fund.

“Jam i tronditur pas lajmit të mbrëmshëm për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoj nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet deri në fund”, tha Haziri.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit

Ndërkaq, drejtori i Ortopedisë në Klinikën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Gani Jashanica, ka bërë të ditur se gjendja e të plagosurit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Ai është jashtë rrezikut për jetë, gjendja e përgjithshme është e mirë. Ka një plagë në regjionin e kofshës. Por diçka rrezik nuk ka, nuk ka asht të thyer”, potencoi Jashanica.

Si ndodhi vrasja?

Sipas raportit të policisë, gjashtë persona janë përleshur mes vete duke shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit.

Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit E.R. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, ndërsa, ndaj të dyshuarve të lartshënuar brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata Themelore në Gjilan.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore