Kosova

Dështon rigjykimi për vrasjen e Triumf Rizës


Enver Sekiraqa

Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës ka dështuar të vazhdojë, shkaku që burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz nuk e ka sjellur Sekiraqën.

Gjykatësi Agim Kuçi ka thënë se me 7 qershor 2021 ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në këtë seancë, mirëpo sipas tij, nuk kishin marrë ndonjë konfirmim të pranimit të kësaj urdhëresë nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz.

Sipas gjykatësit, nuk janë në dijeni as për arsyet e mos pranimit të kësaj urdhërese.

Ndërsa në lidhje me seancën e radhës, e cila parashihet të mbahet me 25 qershor 2021, gjykatësi Kuçi tha se do të bëhen përpjekje që të sigurohet prezenca e të akuzuarit.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së enjte është pritur të mbahet seanca e radhës në rigjykimin e Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

Ndërsa, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar duke thënë se, SHKK nuk ka pasur asnjë urdhëresë për ta dërguar sot në seancë personin në fjalë.

“Kërkojmë nga mediat që para publikimit të shkrimeve të tilla, të na kontaktojnë për të verifikuar informacionin. Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdoj të mbetet i përkushtuar për transparencë të plotë para qytetarëve”, thuhet në reagim.

Enver Sekiraqa për herë të dytë ishte shpallur fajtor për nxitjen në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe ju shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Në muajin maj të vitit 2016, gjykata e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar Enver Sekiraqën me 37 vjet burgim, “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Incidenti i vrasjes së Triumf Rizës kishte ndodhur në “Swiss Casino”,  në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në mes Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur më 24 maj 2021, gjatë së cilës ka dhënë dëshminë e tij rreshteri i Policisë së Kosovës, Mehdi Kozhani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore