Shqipëria

Vrasja e çiftit shqiptar: Arrestohet ish e fejuara e Taulantit


Policia italiane ka vënë nën pranga Elona Kaleshën, ish të fejuarën e Taulant Pashos, për akuzën e vrasjes, masakrimit dhe fshehjes së trupave të Shpëtim dhe Teuta Pashos.

Tashmë ngjarja e bujshme e ndodhur në Firenze merr një tjetër rrjedhë. Pas gjetjes së katër valixheve me brenda trupat e copëtuar të çiftit vlonjat, kemi të akuzuarën e parë nga ana e prokurorisë italiane.

Elona Kalesha, 36 vjeç, në atë kohë jetonte së bashku me Taulantin në një apartament në Firenze. Nga dëshmitë e marra nga motrat Dorina dhe Viktoria Pasho, është pikërisht Elona personi i fundit që ka takuar prindërit e tyre përpara zhdukjes.

Këto akuza janë mohuar nga Kalesha kur ajo është marrë në pyetje.

Pavarësisht arrestimit të Elonës, 12 ditë pas gjetjes së valixhes së parë me trupat brenda, mozaiku është ende i paplotësuar. Duhet kuptuar kush e eliminoi fizikisht çiftin, kush i copëtoi trupat e tyre dhe pse e bëri këtë gjë.

Policia mendon se ka pasur një numër më të madh personash që kanë kryer krimin, ose që minimalisht kanë ndihmuar në kryerjen e tij.

Njëkohësisht janë vënë nën sekuestro dhe dy pasuri të paluajtshme të saj. Një apartament në periferi të Firenze-s dhe një garazh në rrugën Pantano. Garazhi është aneksim i apartamentit në të cilin Elona dhe Taulanti jetonin kur ishin të lidhur.

Ky garazh është bërë edhe më parë pjesë e çështjes. Në vitin 2016 ka pasur raportime të shumta mbi aromat e këqija që vinin nga aty. Gjithsesi, aroma në atë kohë iu bashkëngjit higjenës së dobët të qenëve që çifti mbante në shtëpi.

“Elona nuk ka lëshuar asnjë deklaratë, sepse fillimisht po presim të dalë vendimi i gjykatës mbi masën e sigurisë”, ka thënë avokati i saj pas arrestimit.

Nuk është kuptuar ende kur janë hedhur valixhet në fushën ku u gjetën. Menjëherë pas vrasjes së çiftit, apo janë ruajtur diku tjetër më parë?

Duhet kuptuar gjithashtu edhe roli që kanë luajtur 40 mijë Eurot me të cilat çifti udhëtonte.  Këtë shumë do t’ia çonin Taulantit ditën që ai dilte nga burgu, në 2 nëntor 2015.

Autopsitë deri në këtë çast kanë zbuluar vetëm mënyrën e vrasjeve. Shpëtim Pasho u vra duke u prerë në fyt. Teuta, u masakrua me goditje dhe u mbyt deri në vdekje.

Ende nuk ka të dhëna nëse janë gjetur shenja gishtash apo gjurmë të tjera domethënëse në valixhet apo në trupat e viktimave./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore