Kosova

Votohet projektligji për ndarjet buxhetore – PDK dhe AAK kundër


Fotografia e shkrepur gjatë mbledhjesë së ditës së hënë të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, gjatë ditës së hënë, e ka votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kundër këtij ndryshim plotësimi të ligjit ishin Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputeti i PDK-së Ilmi Reçica, i cili është edhe anëtari i këtij komisioni ka arsyetuar vendimin e partisë së tij për mos votim të këtij ndryshim plotësim të ligjit.

“Ky buxhet nuk duhet të kalojë sepse nëse futemi brenda saj ka shumë probleme që do ndikojnë në zgjedhjet lokale. Dhe ne si PDK nuk e votojmë këtë buxhet”, ka tha Reçica.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së dhe njëherësh anëtari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, ka arsyetuar mos votimin e këtij projektligji, pasi sipas tij ky ndryshim plotësim i ligjit është pa prapavijë dhe me ndasi politike në raport me komuna të caktuara.

Deputeti i AAK-së, Dreshaj pas përfundimit të komisionit është kontaktuar nga Albanian Post, ai ka treguar arsyet e mos votimit të këtij projektligji duke e fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndikuar në ndarjen e këtij buxheti.

“Arsyeja ishte se shpërndarja buxhetore bazohet në influenca politike, pikërisht nga partia në pushtet”, ka thënë Dreshaj për Albanian Post.

Ndërsa kryetarja e këtij komisioni e cila vjen nga radhët e partisë minoritare Lista Serbe, Verica Ceraniç, ka theksuar se është ndarë shuma prej 1 milionë e 200 mijë euro për komunitete përmes amendamenteve.

“Buxheti prej 1 milionë e 200 mijë euro, është ndarë 600 mijë euro për komunitetet serbe dhe 600 mijë për komunitetet tjera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore