Lajme

Votimi për largimin e kryetarëve në Veri, KQZ akrediton grupin e dytë të vëzhguesve


KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e së shtunës ka marrë vendim për akreditimin e grupit të dytë prej 112 vëzhguesve të cilët do e përcjellin nga afër procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat Veriore – të banuara me shumicë serbe – më 21 prill, dhe procedurat e tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Siç ka bërë të ditur KQZ-ja, numri i deritanishëm i vëzhguesve të akredituar është 130 – përfaqësues të mediave, organizata jo qeveritare vendore, përfaqësues të misioneve diplomatike në vend.

Nga ana tjetër, afati për aplikim sa i përket vëzhguesve të subjekteve politike të kryetarëve aktual, OJQ-ve vendore dhe atyre ndërkombëtare dhe mediave do të përfundojnë më 15 prill 2024.

KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Në bazë të listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46 mijë 556, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,000 fletëvotime, pra 6,556 apo 14.1 për qind e fletëvotime më pak se votues.

KQZ mori vendim edhe për emërimin e rreth 280 anëtarëve të 73 Këshillave të Vendvotimeve që u takojnë 44 Qendrave të Votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Veriore. Ky numër mund të plotësohet gjatë ditëve në vijim.

Ndryshe, katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre më 21 prill.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Veri janë 46 mijë e 248 votues.

Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore