Shqipëria

Von der Leyen pret liderët e BP-së: Të gjashtë vendet i përkasin Evropës


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pritur këtë të enjte të 19 shtatorit në Bruksel  liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim në marrin pjesë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia u përfaqësua me presidentin Aleksandar Vuçiç.

“Sot prita liderët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Të gjashtë vendet i përkasin Evropës. Kjo është ajo që ne po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me tonat me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, shkruan ajo përmes një postimi në platformën X – dikur Twitter.

Fokusi i takimit do të orientohet rreth marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes partnerëve në kontekstin e Planit të Rritjes.

Prania e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është konfirmuar për Albanian Post nga zyra për media.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero pohoi për AP-në se ftesat u janë dërguar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç.

Në Bruksel, duhet të jenë të pranishëm edhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shtoi Pisonero.

Bosnjë dhe Hercegovina ishte vendi i fundit që dorëzoi zyrtarisht dy ditë më parë draftin e saj të axhendës së reformave, mësoi AP-ja.

Këto axhenda do të jenë parakusht për disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Komisioni (Evropian) aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e tij mbi axhendat e reformave të partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor, duke mbuluar si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, duke përfshirë ato të Bosnjës dhe Hercegovinës, draftin e të cilës e kemi marrë sot”, deklaroi një zëdhënës i KE-së për Albanian Post.

Zyrtari theksoi se pasi të finalizohet vlerësimi, Komisioni do të konsultohet me shtetet anëtare për axhendat e reformës në Komitetin IPA.

Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja ka mbështetur reformat në rajonin e zgjerimit me asistencë financiare dhe teknike që nga viti 2007.

Më pas, në rast të një opinioni pozitiv të lëshuar nga Komisioni, KE-ja do të miratojë Axhendat e Reformës të paraqitura nga përfituesit, sqaroi më tej zyrtari evropian.

“Synimi është që të jemi në gjendje të disbursojmë parafinancimin sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur reformat pasi të jenë finalizuar procedurat, duke përfshirë marrëveshjet përkatëse të lehtësirave dhe kredisë me secilin partner”, ravijëzoi në përmbyllje zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ndryshues loje

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.

Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.

Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.

Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.

Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Lehtësimit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Axhendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.

Sipas propozimit të KE-së, Axhendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Detaje e disbursimit

Pas dorëzimit të Axhendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.

Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.

Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.

Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.

Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Kur të plotësohen këto parakushte, Komisioni do të vlerësojë nëse një përfitues ka përmbushur masat specifike nga Axhenda e Reformës, për të cilat do të përcaktohen afatet dhe cilat do të jenë kushtet për lirimin e fondeve dy herë në vit.

Tek e fundit, ky plan ambicioz nuk siguron vetëm fonde: ai imponon një rishikim real të prioriteteve politike dhe ekonomike, duke e udhëhequr Ballkanin Perëndimor drejt një përafrimi më të ngushtë me Bashkimin Evropian.

Harmonizimi i politikave të jashtme është tashmë një imperativ, duke shënuar një hap vendimtar në përgatitjen e vendeve të rajonit për integrimin e tyre të ardhshëm në BE.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore