Shqipëria

Von der Leyen pas vizitës në Shqipëri: Pres me padurim Samitin BE-Ballkan Perëndimor javën e ardhshme


“Pres me padurim Samitin e Bashkimit Evropian-Ballkan Perëndimor javën e ardhshme”.

Kështu do të shprehej Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vizitës në Shqipëri paraditen e 28 shtatorit. Të gjithë vizitën e saj ajo përmbledhi me një video-mesazh.

Më tej ajo vijon se në samitin e javës së ardhshëm do të përcaktohet rruga drejt së ardhmes.

Nëpërmjet një postimi në Twitter duke e cilësuar Shqipërinë si anëtare e ardhshme e BE-së, “unë gjithashtu dua që Shqipëria të marrë pjesë plotësisht në Konferencën për të ardhmen e Evropës”.

Në përfundim Presidentja vendos theksin se, “duhet të dëgjojmë nga populli shqiptar”.

Vizita e Presidentes së KE-së në Shqipëri

Mëngjesin e së martës von der Leyen vizitoi Shqipërinë. Në fjalimin e saj ajo thekesoi faktin se, ‘hapja e negociatave të BE-së me Shqipërinë, është një borxh që unioni ka ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë”.

Më tej ajo tha se “bisedimet dhe konferenca ndërqeveritare do të bëhen realitet për Shqipërinë para përfundimit të vitit”.

Ndërkohë ajo mori pjesë në inaugurimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së në kuadër të programit “EU4Schools” pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit 2019.

Sipas Presidentes, nuk është vetëm projekti i shkollave që është në vëmendjen e BE-së, por rimëkëmbja – referuar dy proceseve, atij të vaksinimit dhe rindërtimit.

Në vijim, von der Leyen uroi Tiranën për përzgjedhjen e kryeqytetit rinor për vitin 2022.

Presidentja e KE-së ka përshëndetur, ndër të tjera, edhe përfshirjen e Shqipërisë në platformën e certifikatave të vaksinave të BE-së.

Ajo shtoi se mjafton vetëm kodi që “të identifikoheni se jeni plotësisht të vaksinuar”.

Sipas von der Leyen, BE-ja ka investuar në mënyrë të konsiderueshme për rimëkëmbjen e Shqipërisë – 33.3 miliardë për të mbështetur pasojat e pandemisë.

Presidentja e KE-së u angazhua për një investim prej 500 milionë eurosh për këtë vit.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar von der Leyen si “avokate e integrimit në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore