Lajme

Von der Leyen: Kosova ta themelojë Asociacionin – Serbia ta japë njohjen de facto


Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën në Prishtinë, ka thënë se Kosova ka bërë progres të qëndrueshëm sa i përket reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), gjë për të cilën ka përgëzuar autoritetet kosovare.

Ajo në fillim të adresimit të saj ka dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, derisa ka bërë thirrje që kryesit e aktit të vihen para drejtësisë. Shefja e KE-së ka bërë thirrje edhe për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Von der Leyen ka theksuar se Kosova duhet të nis së zbatuari marrëveshjen për themelimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse Serbia duhet të japë njohjen de facto për shtetësinë e Kosovës, në përputhje me deklaratën e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, pas takimeve me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Të gjitha këto suksese arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kosova duhet të pranojë draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse Serbia duhet të pranojë një njohje de facto dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në këtë drejtim. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para”, ka nënvizuar ajo.

Presidentja e KE-së do të takohet edhe me kreun e ekzekutivit kosovar në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilës ka qëndruar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërsa pasdite pritet të udhëtojë drejt Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore