Kosova

Von Cramon: Nëse s’ka kompromis, s’ka përparim


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, beson se edhe Kosova edhe Serbia janë fajtore për përparim të ngadaltë në procesin e dialogut.

Kosova, beson eurodeputetja gjermane, me deklarime të llojit se nuk do të pajtohet me asnjë formë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk po i lehtëson gjërat e aq më pak nuk po ndihmon në mbarëvajtjen e procesit të dialogut.

“E di që është më e lehtë të fajësohet Vuçiç’i, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin. Njerëzit e tij nuk do të studiojnë apo blejnë në Moskë. Shumica e të rinjve serbë e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës. Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”, ​​shtoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas Von Cramon, edhe pse pritet të ofrojë ndonjë propozim se si duhet implementuar Asociacioni, pyetja që duhet parashtruar gjithë në këtë mes është nëse ky propozim do të përfshijë mendimin e përfaqësuesve të serbëve nga Veriu.

“Pala kosovare duhet të kuptojë se kompromisi është në interes të popullit të saj dhe se është i domosdoshëm për të ardhmen e vendit. Nëse nuk ka kompromis, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit. Për mua nuk ka dyshim, se ne duhet ta mbrojmë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që të respektohet ajo që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013”, ka shtuar ajo.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore