Kosova

Von Crammon falënderon Kosovën për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas


Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka falënderuar Kosovën për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas.

“Faleminderit për përkrahjen e Ukrainës dhe gazetarëve të saj, Federatës Europiane të Gazetarëve dhe Qeverisë së Kosovës”, shkroi Von Crammon në Twitter.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, poashtu në Twitter ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre shkaku i agresionit rus.

Kurti tha se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

Ndryshe, kjo është bërë e ditur nga një dokument qeveritar i siguruar nga Reuters, të martën e 1 marsit.

Bazuar në këtë dokument thuhet se përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Ndërsa, sqarohet se Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Një gazetar që raportonte sulmet në Kiev.

Mirëpo, në dokument nuk ka pasur të dhëna se kur do të mbërrinin gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e Bashkimit Evropian, “por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruan Reuters.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore