Shqipëria

Vlorë: Atentat 41-vjeçarit me precedent penal, shoqërohen 8 persona


Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mbrëmjen e 10 shtatorit në qytetin bregdetar të Vlorës, pasi është qëlluar për vdekje shtetasi Laert Keka, 41-vjeç.

Atentati ndodhi pranë kishës Ortodokse, dhe sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes janë dëgjuar disa të shtëna.

41-vjeçari rezulton se ka ndryshuar gjeneralitete, emrin dhe mbiemrin.

Ai ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është qëlluar me armë zjarri nga një person i maskuar.

Autori i maskuar ka zbritur nga një makinë ‘Audi A6’ me ngjyrë të errët me targa italiane dhe ka qëlluar në drejtim të 41-vjeçarit.

Policia ka arritur të lokalizojë makinën që dyshohet se është përdorur për krimin.

Brenda saj është gjetur edhe kallashnikovi totalisht i shkrumbuar në fshatin Kotë në Vlorë.

Sipas mediave, në vendngjarje janë gjetur mbi 28 gëzhoja, çka do të thotë se mbi viktimën është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Ndërkaq, tetë persona janë shoqëruar gjatë natës nga Policia e Vlorës lidhur me ngjarjen e rëndë.

Laert Keka është një emër i njohur për Policinë e Vlorës.

Ai ka qenë në burg, pasi ka qenë i dënuar për bashkëpunim në një vrasje.

Viktima thuhet se ka vuajtur më shumë se 10 vite burg.

Rreth vitit 2000-2002 dyshohet se ka marrë peng një kambist dhe e ka ekzekutuar.

Ndërsa vite më vonë është akuzuar edhe për vjedhje me dhunë.

Lidhur me ngjarjen e djeshme, Policia thotë se 41-vjeçari ka pasur një konflikt të mëparshëm, por nuk jep më tepër detaje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore