Kosova

Vjosa Osmani bëhet bashkë me ish presidentët e Kosovës, në shënim të “Ditës së Presidentit”


Me rastin e shënimit të datës 24 maj – “Ditës së Presidentit”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur të zhvilloj disa aktivitete.

Vjosa Osmani bashkë me ish presidentët e Kosovës, Atifete Jahjagen, Behxhet Pacollin dhe Fatmir Sejdiun kanë bërë homazhe dhe kanë vënë lule tek shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Gjithashtu, së bashku me ish presidentët, Jahjaga, Pacolli e Sejdiu, Osmani nga ora 13:00 pritet të vizitoj Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, një ditë më parë, e para e presidencës së Kosovës, ka ftuar në zyrën e saj ish presidentët e vendit me qëllim të krijimit të raporteve të mira me ata që dikur ishin në krye të shtetit, pozitë që sot e mban Vjosa Osmani.

Ndryshe, dita e njëzet e katërt e muajit maj, shënohet si “Dita e Presidentit”, pasi që me të njëjtën datë, 29 vjet më parë, President i Kosovës u zgjodh, Dr. Ibrahim Rugova.

Në majin e vitit 1992 u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare të lëvizjes për liri e pavarësi, me pjesëmarrje masive prej 89% të popullatës shqiptare të Kosovës, ani pse në rrethana të okupimit dhe regjimit të dhunshëm nga autoritetet serbe.

Zgjedhjet e dyta parlamentare e presidenciale, Kosova i ka mbajtur në kohë lufte, me datë 22 mars të vitit 1998.

Ndryshe, njëjtë si Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me homazhe e zhvillime kulturore, “Ditën e Presidentit” e kishin shënuar edhe ish presidentët e vendit përfshirë këtu; Atifete Jahjagën, Behgjet Pacollin dhe Fatmir Sejdiun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore