Kosova

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm


Ilustrim

Gjatë ditës së marte dy të akuzuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Gashi, të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, nuk kanë pranuar fajësinë për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ku shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove.

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit, Arben Hoti, i ka njoftuar ata se brenda afatit prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjithashtu, në këtë seancë, gjykatësi Hoti ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Osman Hoxha, që të mbrojturit të tij, t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në nëntor të vitit të kaluar nga Thesari i Shtetit i cili operon në kuadër të Ministrisë së Financave ishin zhdukur mbi 2 milionë euro.

Dyshimet e para ishin se vjedhja ishte kryer përmes sistemit elektronikë, ku disa të dyshuar të cilët ishin zyrtarë në Ministrinë e Financave kishin bërë katër pagesa në emër të tri projekteve rrugore si dhe një pjesë e parave ishin transferuar jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore