Kosova

Vizita e Scholz-it në Serbi, Hoxhaj: Fazë e ndërlikimit të marrëdhënieve të Kosovës me partnerët evropianë


Enver Hoxhaj

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia gjatë ka përdorur marrëdhëniet strategjike me Rusinë dhe Kinën si mekanizëm gjeopolitik në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.

Këto komente, Hoxhaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke komentuar vizitën e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, në Serbi, duke theksuar se kjo është një fazë e ndërlikimit të marrëdhënieve të Kosovës me vendet evropiane.

“Nga sot, ajo do të përdorë një instrument të brendshëm: industria evropiane e makinave do të ketë akses ekskluziv në depozitat e litiumit të Serbisë dhe litiumi është instrument i fuqisë së saj ndaj BE-së. Llogaritet se Serbia mbi 20% të nevojave të BE-së do t’i përmbushë me këtë mineral të rëndësishëm për prodhimin e baterive”, shkroi.

Në garë për prodhimin e baterive, ish-ministri i Punëve të Jashtme tha se Gjermania është në mesin e fuqive në tregun botëror, prandaj, vizita e sotme e Kancelarit Olaf Scholz “tregon që Serbia është bërë interes strategjik i vendit të tij dhe BE-së”.

“Askush nuk e di përmbajtjen e një deklarate përkatëse rreth qëllimeve të bashkëpunimit që sot do të nënshkruhet, por një gjë dihet, që kjo është fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënies së Kosovës me partnerët evropianët”, shtoi.

Kushdo që mendon ndryshe, sipas Hoxhajt, “e ka gabim dhe do të vazhdojë ta ketë gabim”, sepse, siç pohon ai, “nuk është situatë e njëjtë sikurse ishte deri sot!”.

“Nuk pres ndonjë mendim strategjik nga Qeveria se si të veprohet në këtë situatë dhe si të balancohet pozita e vështirë e Kosovës, përveç të dalin me një reagim mendjelehtë se sikurse Rusia e ka shantazhuar BE-në me gaz dhe tani do ta bëjë Serbia me litium, që është vetëm një titull lajmi, por jo veprim strategjik”, mendon.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit, kancelari gjerman ka arritur në Beograd, ku është pritur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç pret Scholz-in: Na pret një ditë e rëndësishme pune

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore