Kosova

Vizita e Macron-it në Serbi, Vuçeviç: Do të flitet edhe për situatën në Kosovë


Millosh Vuçeviç

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, do të diskutohet edhe për situatën në Kosovë.

Në një konferencë për media, Vuçeviç ka theksuar se Macron dhe Vuçiç do flasin për marrëdhëniet dypalëshe, situatën politike e gjeopolitike, luftën në Ukrainë dhe atë në Rripin e Gazës.

Kreu i ekzekutivit serb ka bërë me dije gjithashtu se gjatë vizitës së presidentit francez “do të nënshkruhen shumë dokumente të rëndësishme në fushën e energjisë, zhvillimit, kulturës dhe mbrojtjes”.

“Do të ketë diskutime edhe për perspektivën evropiane të Serbisë”, shtoi Vuçeviç, transmeton media serbe “B92”.

Ndryshe, Macron, nëpërmjet një letre drejtuar popullit serb përpara vizitës në Beograd, ka thënë se do të angazhohet personalisht që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të Marrëveshjes Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023).

Në letrën e publikuar në gazetën e përditshme serbe “Danas” të enjten, ai ka shtuar është i bindur që marrëveshja e propozuar nga Franca dhe Gjermania, dhe e zyrtarizuar nga Bashkimi Evropian (BE) nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), është në përputhje me interesat e Serbisë.

“Rruga drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, ka thënë Macron.

“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen”, ka shtuar ai.

Në letrën e tij, Macron ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që parashihet në Marrëveshjen Bazike, për të cilin ka theksuar se do të angazhohet personalisht.

“Unë personalisht do të mbetem i angazhuar – jam i sigurt se edhe BE-ja do të mbetet te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe”, ka shtuar ndër të tjera presidenti francez.

Akorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ishte një marrëveshje ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, ku kanë kaluar më shumë se një vit nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket fare afër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore