Biznes

Vitrina e një biznesi që shet, content-i


Çdo biznes ka nevojë të jetë i pranishëm në mediat sociale.

Kështu ka parapëlqyer ta nisë bashkëbisedimin mbi rëndësinë e content-it specialistja e marketingut, Meri Ndoj.

“Nuk ka rëndësi nëse drejton një dyqan të vogël apo një kompani të madhe. Mediat sociale janë më shumë se thjesht një trend, janë pjesë thelbësore e strategjisë së marketingut të biznesit”, dallon ajo.

Kjo sepse platformat sociale ndihmojnë për t’u lidhur me klientët, për t’i ndërgjegjësuar ata për markën dhe për përmirësim të shpejtë.

Por që kjo të jetë efikase duhet përdorur “një mentalitet i vazhdueshëm dhe një strategji solide e marketingut të përmbajtjes”.

“Mendoni për planin tuaj të marketingut të përmbajtjes sikur të ishte makina juaj dhe për përmbajtjen edukative si të ishte lënda djegëse pa të cilën makina nuk funksionon”, thotë Ndoj.

E gjitha sepse pa përmbajtje s’ka interes.

Po si mund të krijohet një content që është edhe edukativ, edhe argëtues?

Që përmbajtja të jetë me notat e edukatives nevojitet “krijimi i një përmbajtjeje cilësore, duke ofruar vlerë dhe besim për ata që kërkojnë në internet”.

Marketerja e vë theksin te rrëfimi i një historie të dobishme, një përvoje pozitive që ka frymëzuar dhe edukuar përdoruesin.

Një përmbajtje që mund të paraqitet në video, audio ose ndonjë formë tjetër.

“Duhet të përdoren platforma marketingu gjithëpërfshirëse sepse gjurmët e kontakteve janë thelbësore për të ofruar informacion që u përshtatet nevojave të klientëve”, këshillon ajo.

Nga ana tjetër, përmbajtja duhet të jetë interaktive dhe tërheqëse.

Nuk është e domosdoshme të shpikësh gjëra prej fillimit, sipas specialistes.

Mjafton të shihet se çfarë ndodh përreth me konkurrentët dhe të gjenerohen ide. Të merret prej tyre çka funksionon.

Po ashtu këshillohet krijimi i përmbajtjes së lidershipit të mendimit. Ka kaherë nevojë për atë çka ofrohet dhe duhet që kjo nevojë të plotësohet.

“Ama duhet të kihet parasysh se teksa ti je duke menduar për këtë, dikush tjetër e ka bërë fakt, prandaj nuk duhet humbur mundësia e të qenit i pari nga frika se humbet biznesin”, thotë Ndoj.

Rëndësi të veçantë ka edhe personalizimi i përvojës së content-it.

Specialistja e marketingut tregon se, pasi vizitori i faqes të kthehet në klient, marrja e kontaktit të tij është më se e dobishme, sepse mund të riftohet ose t’i dedikohet hapësirë e personalizuar.

Kjo e fundit shihet nga 94 për qind e tregtarëve si çelësi i suksesit të tyre në sferën e marketingut.

Gjithashtu klienti duhet të mbahet i azhurnuar.

“Mos krijoni përmbajtje për të siguruar vetëm klientë të rinj, por kushtojuni rëndësi atyre aktual”, rekomandon Ndoj, duke u bazuar në faktin se tërheqja e një klienti të ri mund të kushtojë 15 herë më shumë se mbajtja e një klienti ekzistues.

Pra, që përmbajtja të konsiderohet e mirë duhet të jetë edukative, interaktive dhe të mbahet mend. Çka mund të arrihet duke ndërfutur elemente intrigues që shtyjnë kureshtjen e klientit.

Atij duhet t’i jepet mundësia që të kontrollojë dhe të gjejë kuriozitete që e bëjnë atë të qëndrojë aty.

Për sa u përket krijuesve të përmbajtjes, ata “duhet t’i japin përparësi të menduarit për mesazhin që duan të përcjellin dhe si ta arrijnë këtë shpejt, në mënyrë të paharrueshme dhe koncize”.

Dhe për të rezonuar te sa më shumë audienca nevojitet që përmbajtja të lidhet me sa më shumë rrjete.

Rasti shqiptar

Në Shqipëri, depërtimi dhe përdorimi i internetit është i krahasueshëm me vendet e zhvilluara dhe rrjedhimisht, bizneset po e shfrytëzojnë epokën digjitale për të bërë marketing.

Të paktën ky është konstatimi i marketeres Ndoj.

“Se sa po e arrijnë qëllimin, kjo ka vend për diskutim, sepse qëllimi nuk është thjesht të dukesh”, veçon ajo.

Për të, marketingu i rrjeteve sociale është bërë teknikë e fuqishme për bizneset vendase, falë shpenzimeve të ulëta dhe efektit të fuqishëm promovues që ka.

Përfitimet kryesore që kanë bizneset janë rritja e ekspozimit të brand-it dhe menaxhimi i reputacionit, krijimi i klientëve potencial, njohuri mbi tregun në lidhje me audiencën e synuar dhe konkurrencën.

“Koha po sjell mundësi të reja çdo ditë në fushën e mediave sociale, duke ofruar shumë karakteristika të marketingut me vlerë për bizneset. Kështu që përmirësimi në këtë drejtim, edhe në Shqipëri, është me vlerë”, thotë Ndoj.

Ajo ravijëzon se primare për përmirësimin e përmbajtjeve të mediave sociale për bizneset shqiptare duhet të jetë besnikëria.

“Përpikëria, praktikat etike të biznesit dhe qëndrueshmëria do ta lejojnë biznesin të rritet në mënyrë organike dhe të pozicionohet si një burim me reputacion”, sugjeron specialistja.

Në këtë pikë, marrja e komenteve në platformat digjitale tregon shumë. Kombinimi i punës me reagimet e klientit është mënyra më e mirë për të zhvilluar besueshmëri.

Po ashtu duhen përmbushur pritshmëritë e klientit. “Klientët e lumtur do të flasin me bollëk për përvojat e tyre të mira”.

Meqë në vend bizneset online kanë përhapje të gjerë, Ndoj thotë se ato duhet të kujdesen që ta dorëzojnë në kohë produktin që është shitur.

“Qëllimi përfundimtar nuk është thjesht shitja, por përmbushja e detyrimeve ndaj klientit deri në piken që të marrësh feedback sepse marrëdhënia e qëndrueshme me klientin është dëshmia juaj”, thekson ajo.

Me rëndësi është edhe sigurimi i një faqeje interneti profesionale. “Është vitrinë, zyrë, sallë ekspozite dhe shumë më shumë”, përmbyll Ndoj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore