Lajme

“Vitia u tregua i paaftë dhe i paditur në shëndetësi”, thotë Zemaj


Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është shprehur se për tri vjet në shëndetësinë e Kosovës s’ka pasur asnjë përmirësim, madje vetëm sa e kanë dërguar prapa edhe përmirësimin që ishte bërë në të kaluarën.

“Tre vjetori i ardhjes në pushtet të kësaj partie politike e gjen shëndetësinë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë. Kjo qeveri me saktësisht shëndetësia në krye me ministrin Arben Vitia, u treguan të paaftë, të paditur dhe dështues. Nuk është dëshirë kjo është fakt i keq”.

Zemaj, në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se as edhe një reformë s’është bërë në këtë sektor.

“Kurrë s’kam parë, as s’kam lexuar se një Qeveri mund të shpenzoj 75% të kohës së qeverisjes, pa lënë asnjë shenj pozitive”.

“Bilanci është i tmerrshëm sepse jo që nuk bëri diçka më mirë, por nuk arriti ta mbaj as nivelin në të cilin e gjeti”, ka thënë Zemaj.

“Dështim”, e quajti ish ministri i Shëndetësisë udhëheqjen e ministrit Arben Vitia.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj

“Sigurisht na duhen shumë minuta për të folur rreth shëndetësisë së udhëhequr nga kjo Qeveri, sepse jashtëzakonisht kanë dështuar shumë në këtë sektor, ashtu siç kanë dështuar në sektor të tjerë”.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 185 mjekë janë larguar nga Kosova gjatë vitit 2022 kryesisht në Gjermani.

Më 2 shkurt, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte shprehur frikën se ikja e mjekëve do të vazhdojë edhe këtë vit.

Teksa është pyetur në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale se për ndonjë strategji për të ndaluar ikjen e mjekëve dhe specializantëve, ai deklaroi se “kam drojën se ikja e mjekëve do të vazhdojë”, pavarësisht që sipas tij “kushtet në QKUK janë përmirësuar”.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë.

Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore