Kosova

Vitia: Projektligji për shëndetin riprodhues hap rrugën që shërbimi të ofrohet në institucione publike pa kosto shtesë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas miratimit të projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor ka thënë se kjo rrugë hap mundësinë që ky shërbim të ofrohet në institucionet publike të Kosovës.

Vitia, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se shpenzimet për këtë shërbim janë mjaft të mëdhaja e në rastet më të shpeshta familjarët kanë shpenzuar të gjithë buxhetin për të marrë këtë shërbim.

“Udhëtimet e shpenzimet janë kaq të mëdha saqë shumë familje kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre, e jo rrallë edhe pronat, vetëm për ta siguruar këtë trajtim”.

“Finalizimi i këtij ligji në hapin e ardhshëm nga Kuvendi do të hapë rrugën për këtë shërbim kaq të vyeshëm në institucionet tona publike dhe pa kosto shtesë”, ka shkruar Vitia.

Ai tutje ka sqaruar edhe qëllimet e ligjit.

“Ky ligj veçanërisht ka si qëllim sigurinë dhe monitorimin e  rregullsisë në të gjitha procedurat për fertilizimin e asistuar”.

“Kjo është një nismë që mbështet drejtpërdrejt familjet e qytetarëve tanë”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës këtë të mërkurë, kanë votuar në parim projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Nga 85 deputetë sa ishin në sallë 58 deputetë votuan pro.

Njëri nga deputetët ishte kundër ndërsa katër ligjvënës kanë abstenuar.

Ky projektligj ka nxitur debat në vend që kur u prezantua për herë të parë para deputetëve.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër këtij projektligji.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-së, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore.

Punimet në infrastrukturë për repartin e ri veçse janë kryer.

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.

Por, që as kjo metodë s’konsiderohet se është e suksesshme 100%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore