Lajme

Vitia për vdekjen e infermieres: Fitore Zenelaj, ishte simbol i luftës ndaj kancerit


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe infermierja Fitore Zenelaj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shprehur ngushëllimet e tij pas vdekjes së infermieres Fitore Zenelaj – e cila ishte njëri nga zërat më të fuqishëm për vetëdijesimin mbi luftën ndaj kancerit.

Vitia përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ajo do të mbetet frymëzim i përhershëm.

“Në vend të lamtumirës për Fitore Zenelaj. Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim. Fitorja do të jetë përjetë frymëzim i tillë. U pikëlluam thellësisht për largimin në amshim të infermieres Fitore Zenelaj”, ka shkruar ai.

Ministri, theksoi se përveç se Fitorja luftoi, ajo i mësoi edhe të tjerët se si duhet të luftohet.

“Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre”.

“Ajo luftoi. Por mbi të gjitha Ajo i mësoi të tjerët si të luftojnë”.

Edhe, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, ka shprehur ngushëllime për humbjen e infermieres Zenelaj, duke thënë se “jeta është luftë”, e Fitorën duke e vlerësuar si njërin nga personat që e ka dashur më së shumti jetën.

“Sot e paska humbur luftën njëra nga personat që e ka dashur aq shumë jetën. Fitorja ka qenë njëra nga personat që kam njohur që e ka dashur aq shumë jetën”.

“Edhe kur jemi takuar herën e fundit në fakultet kemi folur për aq shumë plane që kishte për të ardhmen, por që sot ju paskan ndërpre në gjysmë të gjitha planet për të vazhduar jetën e qetë”, ka shkruar Sadiku në rrjetin social ‘Facebook’.

Fitore Zenelaj, ishte vetëm 29 vjeçare kur kishte zbuluar shenjat e para të kancerit, fillimisht ajo e kishte fituar luftën me sëmundjen e kancerit, por që kjo sëmundje ishte rikthyer sërish tek ajo.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore