Lajme

Vitia për rastin e 4 vjeçares: Për përgjegjësit duhet të ketë masa pa vonesë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar pas deklarimeve publike të prindërve të 4 vjeçares e cila ndërroi jetë më 19 shkurt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas transferimit të saj nga Spitali i Gjakovës.

Vitia, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se informacionin për trajtimin që ka pasur 4 vjeçarja e kanë pranuar vetëm nga deklarimet publike.

“Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.

Ai ka kërkuar nga institucionet që ta hetojnë rastin.

“I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka filluar hetimet, meqë familja e së ndjerës është ankuar për neglizhencë të stafit mjekësor.

Pas reagimeve të shumta që u bënë nga shoqëria civile se rasti i vdekjes së 4 vjeçares ka pasur neglizhencë nga sistemi shëndetësor, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka thënë se në këtë institucion pacientja ka pasur mbikëqyrje profesionale dhe mjekësorë.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, është thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit

Pas trajtimit në spitalin e Gjakovës, pacientja u dërgua në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), më 17 shkurt, ndërsa më 19 shkurt ajo ndërroi jetë.

Trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e viktimës janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore