Vitia nga shqetësimi për vazhdimin e ikjes së mjekëve, në optimizëm: Pas 7 vjetësh, ky trend po bie

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Altina Marmullaku
12.09.2024 11:58
Loading Icons...

Më 2 shkurt, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte shprehur shqetësimin e tij për largimin e mjekëve nga Kosova duke thënë se “kam drojën se ikja e mjekëve do të vazhdojë”, por tashmë këtë shqetësim Vitia e ka kthyer në optimizëm.

Ai në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, teksa është përgjigjur ndaj akuzave që u bënë nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili tha se mbi 3 mijë mjekë janë larguar në tri vjetet e fundit ka thënë se këto shifra janë “të pasakta” dhe trendi i largimit të mjekëve ka shënuar rënie.

“Në shtatë vitet e fundit, hera e parë që këtë vit që trendi i ikjes së mjekëve nga Republika e Kosovës është ulur. Vetëm shikoni shifrat nuk ka nevojë unë të flas apo të sqaroj e besoj që këto shifra i ka këtu edhe zotëri Haxhiu, por del dhe thotë të pavërteta”, ka thënë ai para deputetëve.

Sipas tij, ky trend ka shënuar ulje për shkak të disa arsyeve.

“E rëndësishme është që këtë vit ka trend të uljes dhe kjo mendoj që vjen ekskluzivisht për shkak të rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës për profesionistët shëndetësore”.

Ndërsa, ka thënë se deklaratat e Haxhiut për mbyllje të shërbimeve në spitalet regjionale janë të pavërteta.

“Është absolutisht e pavërtetë se statuti i ShSKUK-së, parashikon mbyllje të shërbimeve dhe kjo është një e pavërtetë e radhës, sepse spitalet regjionale do të forcohen edhe më shumë”.

Për shkak të kushteve të rënda dhe keqmenaxhimit, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë në vende të ndryshme të botës.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë.

Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Të fundit

Aktuale