Kosova

Vitia: Jemi në pritje të raporteve finale për rastin e 4 vjeçares – hetimet kanë nisur edhe nga Inspektorati i Shëndetësisë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se janë në pritje të raporteve për rastin e vdekjes së 4-vjeçares, e cila ndërroi jetë më 19 shkurt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas transferimit të saj nga Spitali i Gjakovës e që nga prindërit e saj u akuzua për neglizhencë të stafit mjekësor.

Vitia, në një deklaratë për media ka thënë se pas pranimit të raporteve do të merren masa të menjëhershme.

“Kam kërkuar nga ShSKUK-ja raportet, e po ashtu nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë dhe nga të gjitha institucionet e nivelit sekondar dhe terciar që kanë trajtuar vajzën 4-vjeçare”.

Ai tutje ka theksuar se për këtë rast është angazhuar edhe Inspektorati i Shëndetësisë.

“Inspektorati gjatë ditës se enjte ka shkuar në këto institucione dhe jemi duke pritur raportet finale nga ekspertiza mjeko ligjore për të dhënë pastaj të gjitha informacionet e sakta”.

Vitia, ka pohuar se pa raportet dhe provat e nevojshme s’mund të thotë asgjë për këtë rast pasi mund të konsiderohet si gabim.

“Për momentin natyrisht çka do që mund të deklaroj mund të gaboj. Pa raportet dhe pa ekspertizën mjeko-ligjore e po ashtu edhe hetimet që nga njësia e hetuesisë dhe prokuroria nuk mund të përgjigjem nëse ka pasur diçka në këtë drejtim”.

Nga SHSKUK-ja, është thënë se me të gjitha masat që kanë marrë fëmija kishe ndërruar jetë.

“Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”.

“ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë”, thuhej në komunikatën e lëshuar të mërkurën.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka filluar hetimet, meqë familja e së ndjerës është ankuar për neglizhencë të stafit mjekësor.

Pas reagimeve të shumta që u bënë nga shoqëria civile se rasti i vdekjes së 4 vjeçares ka pasur neglizhencë nga sistemi shëndetësor, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka thënë se në këtë institucion pacientja ka pasur mbikëqyrje profesionale dhe mjekësorë.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, është thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit

Pas trajtimit në spitalin e Gjakovës, pacientja u dërgua në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), më 17 shkurt, ndërsa më 19 shkurt ajo ndërroi jetë.

Trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e viktimës janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore