Lajme

Viti 2017: Kurti, udhëzon partinë: Shpërndani thashetheme, 40% e popullit janë analfabetë – kur ta marrim pushtetin t’i përlyejmë duart dhe ta mbajmë gjendjen e jashtëzakonshme, duhet edhe ilegalitet


Qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në momente dhe mjedise të caktuara duhet t’i shpërndajmë si thashetheme, sepse thashethemet janë edhe burim informacioni, thuhet në një dokument të brendshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e kishte përpiluar Albin Kurti në vitin 2017 dhe ua kishte përcjelluar anëtarëve të partisë, duke shpjeguar se si duhet të merret dhe të mirëmbahet pushteti.

Në këtë dokument prej 52 faqesh Kurti u thotë bashkëpartiakëve se rreth 40 për qind e kosovarëve janë analfabetë funksionalë, prandaj ata t’i ushqejnë me thashetheme.

“Thashethemet janë burim (dez)informacioni”, shkruan Kurti, prandaj, “nuk bën ta nënçmojmë fuqinë e thashethëmës”.

“Ajo zhvillohet shumë në një popullsi sikurse kjo e jona në të cilën analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”, thotë Kurti në faqen 19 të tekstit, tek pjesa “Komunikimi është Organizim”.

Duke qenë se gjysma e qytetarëve janë analfabetë sipas Kurtit, atëherë Vetëvendosje duhet të koncentrohet në shpërndarjen e thashethemeve.

“Qëndrime të caktuara tonat në mjedise e kohë të posaçme duhet të përhapen pikërisht ashtu: pra, si thashethëma”, thuhet në tekst.

Kurti ua shpjegon anëtarëve të partisë së tij gjithashtu se faktet nuk janë shumë të rëndësishme, sepse “mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre”.

Në një pjesë tjetër të tekstit, Kurti u kërkon anëtarëve të Vetëvendosjes që ta kenë fare të qartë se kur të vijnë ata në pushtet duhet të përlyejnë duart, sepse ndryshe humbet pushtetit.

Prandaj, shpjegon ai tek sektori “Strategjia është parim”, se “pastërtia morale e aktivistit të Lëvizjes nuk është qëllim por mjet”.

Pra, shkruan Kurti, “pastërtia është vlerë në dritën e një synimi që e kemi, jo vlerë në vetvete”.

Ai ua thekson në planin e tij se secili brenda partisë duhet “ta ketë të qartë që kurdo që ta marrim pushtetin duhet ta kemi ndërgjegjen të pastër, por vaj halli nëse nuk i përlyejmë duart”.

Për Kurtin, nuk ka shumë rëndësi parimi në vetvete, por ai merr rëndësi vetëm si mjet për të realizuar qëllimin final që është pushteti.

“Ne i duam parimet jo pse janë parime, por pse besojmë që na çojnë te qëllimet”, thotë.

Një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit është ajo kur Kurti shkruan se si Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë në pushtet vetëm brenda një gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë dhe madje edhe ta mbajë pushtetin përmes gjendjes së jashtëzakonshme.

Logjika e tash kryeministrit ishte që Vetëvendosje duhet të punojë në krijimin e kësaj gjendje në mënyrë që të vij në pushtet.

“Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme për një kohë”, thotë Kurti në faqen 45 të dokumentit, te pjesa e titulluar “Fitorja është Revolucionare”.

Në dokument Kurti propozon gjithashtu që Vetëvendosje të ketë edhe një sektor të tipit ilegal të funksionimit dhe përmes tij ta befasojë kundërshtarin politik.

“Një Lëvizje që synon ndryshime rrënjësore, për të fituar, duhet të befasojë. Që do të thotë se nevojitet një nënvlerësim i ndonjë aspekti të saj nga ana e regjimit në fuqi. Pa ilegalitet, s’ka befasi. Pa befasi, s’ka revolucion”, ua shpjegon Kurti anëtarëve të partisë.

Ai u propozon anëtarëve që me qytetarët, por jo në mënyrë publike, të flasin për revolucionin, megjithatë, për shkak se i frikëson si fjalë. Kurti gjykon që kjo të bëhet jo krejt në fillim të bisedës, por dikur më vonë.

“Me qytetarët, jopublikisht, duhet të flasim për revolucion dhe duke e përdorur këtë fjalë, ndonëse jo në fillim të bisedës”, shkruan Kurti në dokument.

Ai njeri që “nuk do revolucion le të shkojë në det për pushime”, është një nga qortimet e Kurtit, për këdo që nuk punon për revolucionin.

“Kush nuk do revolucion nuk don punë”,  shkruan në tekst.

Kurti gjithashtu i sugjeron anëtarët e partisë së tij që ndonjëherë edhe t’iu bëjnë qortime qytetarëve, por atë ta bëjnë me “dashuri”.

“Qytetarët duhet që ngapak edhe t’i qortojmë me dashuri. Psh. kur na ankohen për mungesë shprese duhet t’i pyesim se si i kanë punët me guximin!”, jep shembullin kryeministri aktual i Kosovës.

Brenda dokumentit gjithashtu propozohet që anëtarët nëpër qendra të ndryshme të Kosovës të mësojnë gjithçka për rajonet nga të cilat vijnë.

Në pjesën e tekstit të titulluar si “Tërësia është Pikënisje”, Kurti u kërkon anëtarëve të tij që të bëjnë skanim të detajshëm të gjendjeve në komunat e tyre përkatëse, duke kuptuar gjithçka për secilin, nga “profesorët e shkollave të mesme” e “nxënësit e klasave të “XI-ta dhe XII-ta”, e deri te “kamerierët”, “shitësit në pompa të benzinës”, “shitësit e furrave”, “berberët”, hoxhallarët”, “inkasantët e mbeturinave” e në secilin sektor tjetër.

Ky dokument i propozuar atëherë, si plani për organizimin politik kishte shkaktuar edhe përçarjet e para në Lëvizjen Vetëvendosje.

Siç do kuptohej më vonë, një pjesë e kryesisë e kishte kundërshtuar atë botë, përfshirë edhe kryeparlamentarin aktual të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Përkundër kundërshtive, Kurti me fuqinë e tij brenda partisë e kishte shtyrë përpara dhe të pakënaqurit me planin do largoheshin më pas fare nga Lëvizja.

Dokumenti i plotë:

Mbi-Organizimin-Politik – Plani i Albin Kurtit per te ardhur ne pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore