Kosova

Viola von Cramon: Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje urgjente për veriun


Viola von Cramon - Raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën,

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të situatës, dhe atë në mënyrë sa më të shpejtë.

”Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë urgjentisht një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Cramon, në një postim në Twitter.

Kjo deklaratë e Cramon-it, vjen pasi që Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (KPEPJ) ka publikuar një qëndrim përmes së cilit i ka bërë thirrje si Kosovës ashtu edhe Serbisë për ulje tensionesh pas situatës së fundit në pjesën veriore të vendit.

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian.

“Ne jemi thellë të brengosur rreth tensioneve të fundit në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak”.

“Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht që gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në mënyrë që të ketë siguri për të gjithë qytetarët”, thuhet në qëndrim.

KPEPJ-ja është shprehur pro tërheqjes së njësive speciale e ushtarake nga pjesa veriore e Kosovës si dhe zhbllokimit të rrugëve.

“Ne duam të shohim tërheqjen e njësive speciale, çdo njësie ushtarake dhe zhbllokim të rrugëve. Veprimet dhe provokimet e njëanshme dhe retorika nxitëse, të cilat rrisin tensionet dhe ndikojnë në mirëqenien e komunitetit lokal, duhet të ndalen”, thuhet tutje.

Mes tjerash, si zgjidhje përfundimtare ky komision e sheh dialogun mes dy vendeve – Kosovës dhe Serbisë.

“Ne ritheksojmë se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është parakusht i pranimit në BE për të dyja vendet dhe thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien në mbarë rajonin”.

“Thërrasim të dyja palët që aktivisht dhe me konstruktivitet të ri angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga i Dërguari i Posaçëm i BE-së, me synim marrëveshjen ligjërisht obliguese, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, përfundon qëndrimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore