Shqipëria

Vijon numërimi për anëtarët e Këshillit Bashkiak në kryeqytet


Kur kanë mbetur vetëm 41 kuti për të numëruar nga përfundimi i procesit edhe për anëtarët e Këshillit Bashkiak në Tiranë, Partia Socialiste regjistron deri më tani 34 mandate të konvertuara nga 139 mijë vota ose 50.22 për qind e tyre.

Më poshtë renditet koalicioni Bashkë Fitojmë i cili regjistroi 65 mijë e 292 vota (23.45 për qind) për 16 mandate.

Partia Demokratike ka marrë pas hapjes së 900 kutive, 18 mijë e 834 vota (6.76 për qind) për katër mandate.

Me dy mandate është Partia Socialdemokrate, e cila ka regjistruar 12 mijë e 156 vota ose 4.37 për qind.

Nga një mandat ndajnë këto forca politike: Partia Republikane 4 mijë e 208 vota (1.51 për qind), Aleanca Progresiste LZHK 4 mijë e 594 vota (1.65 për qind), Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 5 mijë e 101 vota (1.83 për qind), Nisma Thurje 6 mijë e 725 vota (2.41 për qind) dhe Lëvizja Bashkë 7 mijë e 244 vota (2.60 për qind).

Procesi i numërimit të kutive të votimit për kryetar përfundoi pa surpriza më herët.

Kryebashkiaku aktual, njëkohësisht kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj u mandatua për të tretën herë si administratori i kryeqytetit.

Ai regjistroi pas hapjes së 941 kutive, 158 mijë e 688 vota ose 54.69 për qind kundrejt kandidatit kryesor opozitar nga radhët e Bashkë Fitojmë Belind Këlliçi, i cili mori vetëm 100 mijë e 351 vota ose 34.58 për qind.

Kandidatët e tjerë kanë regjistruar respektivisht: Arlind Qori – 13 mijë e 835 vota, Roland Bejko – 12 mijë e 388 vota, Marko Dajti – 2 mijë e 807 vota, Lajla Përnaska – 2 mijë e 104 vota.

Veliaj ka regjistruar 27 mijë vota më shumë se të pestë kandidatët e tjerë të marrë se bashku (131 mijë e 485 vota).

Statistikisht, trendi i votave të kryebashkiakut të Tiranës nuk zbret poshtë 150 mijë votave prej tetë vitesh ose tre zgjedhjesh lokale.

Në vitin 2015, Erion Veliaj regjistroi një rekord prej 160 mijë e 235 votash. Në ato zgjedhje PS-ja si parti mori 108 mijë e 290 vota, ndërsa LSI-ja 54 mijë e 292 vota, që ishin 18.25 për qind të totalit të votave në koalicionin ASE.

Në zgjedhjet e vitit 2019 kundër kandidatit tjetër të Bindjes Demokratike, Veliaj siguroi 152 mijë e 230 vota, ose 8 mijë vota më pak se ato që fitoi në zgjedhjet lokale të 2015-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore