Vidhnin bagazhet e pasagjerëve, në pranga punonjësi i aeroportit në Rinas, një tjetër në hetim
Dy punonjës në Aeroportin e Rinasit janë vënë në hetim pasi janë kapur duke vjedhur bagazhet e pasagjerëve.
Policia Kufitare ka vënë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vjedhjeve në Rinas dhe ka nisur procedimi penal për tjetrin.
Gjithashtu janë sekuestruar një shumë eurosh dhe bizhuteri, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë konstatuar pranë kontenierëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, njërin nga punonjësit, shtetasin L. Z., teksa fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S..
Aty janë gjetur 1 mijë e 250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove dhe bizhuteritë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
‘Kultura e Hakmarrjes’: Pandëshkueshmëria dhe mungesa e besimit po çojnë në vetëgjyqësi
-
Nis viti i ri shkollor, paketë dhe plan masash për sigurinë e nxënësve
-
Bazat, depot, aeroportet: Objektivat e Kievit në Rusi
-
Osmani: Do të ishte më mirë që Martin Berishaj të largohej nga pozita derisa drejtësia ta japë fjalën e fundit