Libra

“Viciana – Vushtrria I” – monografia me përmbajtje interesante të kulturës dhe historisë


Monografia - “Viciana – Vushtrria I”

Së fundmi, në nder të 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt ishte publikuar libri i tipit monografi – “Viciana – Vushtrria I”, i autorit, Izet Miftari, njëherësh, Drejtor i Bibliotekës “Naim Frashëri” në qytetin e Vushtrrisë.

Botimi i këtij libri, nuk është i pari për Miftarin – madje ai kishte qenë mes 19 autorësh bashkëpunues në një monografi të ngjashme të botuar në vitin 2003, të titulluar – “Vushtrria – Viciana me rrethinë”.

Në një intervistë për Albanian Post, Miftari, tregon se monografia e fundit e plotësuar me zbulime të reja shkencore, e cila nuk përfshinë katër sfera, si atë të arsimit, ekonomisë, sportit dhe shëndetësisë, është e përbërë nga tri pjesë kryesore, ose më saktësisht 13 kapituj.

Izet Miftari – Autor i monografisë “Viciana – Vushtrria I”.

“Monografia është e ndarë në tri pjesë kryesore – pjesa e parë përfshinë në vija të përgjithshme veçoritë gjeografike të Vushtrrisë, ndërsa e dyta është substancialja, dhe është historia e këtij qyteti nga antika deri në vitin 1990”, thotë autori.

“Pjesa e tretë ka të përfshirë Monumentet Trashëgimisë Kulturore, në të cilën jam munduar t’i jap rëndësinë e duhur objektive e shkencore”, shton ai.

Po ashtu, pjesë e librit janë edhe shumë të dhëna për gjenealogjinë familjare të Hasan Prishtinës, si dhe biografitë e disa personaliteteve të rëndësishme, në ndërkohë që mungesë nuk shënojnë as dokumentet, hartat e fotografitë që rrëfejnë historinë e këtij qyteti.

Publikimi i “Viciana – Vushtrria I”, vjen pas jo më pak se 19 vjetësh që kur autori bashkë me bashkëpunëtorët e tjerë kishin publikuar botimin e ngjashëm të vitit 2003 – Miftari tregon se libri i fundit edhe falë kohës së mjaftueshme për mbledhjen e materialeve është më i përmbushur me informacione.

Hasan Prishtina – Kryeministri i tetë shqiptar.

“Realisht, botimi vitit 2003, ishte i një kohe tjetër, e një periudhe të viteve menjëherë pas luftës në Kosovë. Nuk kemi mundur të përfshijmë të dhëna interesante, të zbuluar pas vitit 1999. Sigurisht se mbledhja e të dhënave historike është punë e vështirë, por qenësore për të përgatitur një monografi”, thotë Miftari.

“Prandaj, nga vitit 2012, e deri më 2021, në mënyrë konstante kam mbledhur të dhëna të rëndësishme për qytetin tonë, që ka një vazhdimësi që nga antika, duke vazhduar në mesjetë dhe që ka arritur të mbijetoj deri më sot”, shton ai.

Përmes kësaj vepre, autori thotë se mendon që “ka arritur të hedhë dritë të re mbi periudhën antike, duke bërë analiza të detajuara se si ka qenë Vushtrria apo Vicianumi në kohën romake”.

Ura e Gurit – Vushtrri, Kosovë.

“Përmes një analize komplekse e krahasuese, e kemi deshifruar gabimin ortografik që është bërë në hartën e shekullit XV, që njihet si ‘Tabula Peutingeriana’, në të cilën përmendet Viciana, e që në të vërtet ka qenë Ulpiana”, thotë Miftari.

Ndërkaq, ndër të veçantat e librit, autori thekson rëndësinë e qytetit të Vushtrrisë, shekuj më herët si dhe lindjen e personaliteteve me influencë, po në këtë vend.

Vushtrria antike.

“Pjesë e veçantë është edhe periudha e shekullit XV – XVI, kur Vushtrria ishte një ndër qytete më të mëdha në Trojet Shqiptare”, thotë ai.

“Më ka lënë përshtypje shumë, se në Vushtrri ka lindur Mehmet Pashë Zogaj, mësuesi i Gjergj Kastriotit Skënderbeu”, tregon ai.

Ndërkohë, në pyetjen se pse një lexues duhet ta ketë “Viciana – Vushtrria I” në bibliotekën e tij – Izet Miftari, përgjigjet duke thënë – “Mendoj që kur është në pyetje komuna e Vushtrrisë, do të mund të keni të dhëna të mjaftueshme për ta njohur të vërtetën historike të këtij qyteti antik, mesjetar e modern, në qytetin ku kishte lindur edhe kolosi i Rilindje Kombëtare Shqiptare, Hasan Prishtina”.

“Viciana – Vushtrria I” është libër i botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” i mbështetur financiarisht nga Komuna e Vushtrrisë si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore