Lajme

Vetëvendosje do të rifillojë procesin e zgjedhjeve të brendshme në fillim të vitit 2022


LVV

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të shtunën e 18 dhjetorit ka marrë vendim që të rinisë procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake, proces ky që do të fillojë në vitin e ardhshëm.

Kështu ka njoftuar LVV përmes një postimi të në Facebook, ku thuhet se ky proces zgjedhor ishte ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

“Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryeministri, njëherazi kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti”.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti

“Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të cilat do të rinisin në fillimvitin që po vjen, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”.

LVV thotë se të gjitha qendrat ishin “njëzëri dakord për të filluar procesin e brendshëm zgjedhor”, nga ku pretendohet se “do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të organizuar”, thuhet në njoftim.

Vetvendosje kishte përshtatur Statutin për liderin e saj

Lëvizja Vetëvendosje kishte ndryshuar statutin e partisë, duke përshtatur atë për kreun e saj.

Albin Kurti para se të merrte postin e Kryeministrit të vendit kishte siguruar edhe pozitën e kryetari në parti. Ishte pika 73.3 e statutit, që parashihte që kryetari i partisë nuk mund të mbajë dy pozita.

“Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhej në pikën 73.3 të Statutit të LVV-së, mirëpo të gjithë brenda Këshillit të Përgjithshëm (KP) një zëri ishin pajtuar që kjo pikë të ndryshohej, ku i mundësonte Albin Kurtit që të mbajë dy pozitat nëse do bëhej edhe kryeministër.

E ky vendim i KP-së së LVV-së aso kohe shihej si jo demokratik për një parti që ka promovuar demokracinë e brendshme të tyre.

Ndryshimi i Statutit të LVV-së, kishte ndodhur pas përçarjes dhe ndarjes së këtij subjekti politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore