Lajme

“Vetëm po, do të thotë po” – Parlamenti spanjoll miraton projektligjin për abuzimet seksuale


Ministrja e Spanjës për Barazinë, Irene Montero. ©: Borja Puig de la Bellacasa/La Moncloa/AFP/Getty

Parlamenti i Spanjës ka miratuar një projektligj, që e bën pëlqimin një përcaktues kyç në rastet e sulmeve seksuale, duke i liruar kështu të mbijetuarit nga detyrimi për të provuar se është përdorur dhunë apo frikësim ndaj tyre.

Projektligji, i cili njihet gjerësisht si “Vetëm po, do të thotë po”, synon të trajtojë përkufizimin e mjegullt të pëlqimit në ligjin spanjoll.

Në mungesë të një përkufizimi të kodifikuar, ligji ishte mbështetur prej kohësh në provat e dhunës, rezistencës ose frikësimit për të vendosur nëse kishte ndodhur një akt seksual kriminal.

Projektligji i ri e përcakton pëlqimin si një shprehje të qartë të vullnetit të një personi, duke e bërë të qartë se heshtja ose pasiviteti nuk janë të barabartë me pëlqimin.

Marrëdhëniet seksuale pa konsensus mund të konsiderohet si agresion dhe mund të dënohet me burgim deri në 15 vjet.

Ndryshimi u mirëprit nga ministrja për Barazinë, Irene Montero.

“Nga sot, Spanja është një vend më i lirë, më i sigurt për të gjitha gratë”, tha ajo në parlament duke shtuar se, “ne do ta ndërrojmë dhunën me lirinë, do ta ndërrojmë frikën me dëshirën”.

Projektligji ishte mbështetur prej kohësh nga qeveria e koalicionit të majtë të Spanjës, me vetëm partinë konservatore Popullore dhe partinë e ekstremit të djathtë Vox që votuan kundër tij. Drafti tani do të përballet me një votim në Senat përpara se të bëhet ligj.

Projektligji përfshin masa të tjera, si detyrimi i të miturve që kryejnë krime seksuale që t’i nënshtrohen edukimit seksual, trajnimit për barazinë gjinore dhe krijimit të një rrjeti qendrash krize 24-orëshe për të mbijetuarit e sulmit seksual dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Legjislacioni i ka rrënjët në zemërimin e shkaktuar nga një rast përdhunimi në grup, gjatë festivalit të vrapimit të demave në San Fermin në Pamplona, në vitin 2016.

Fillimisht, pesë të akuzuarit në këtë rast u shpallën fajtorë për abuzim seksual, por jo përdhunim, pasi viktima nuk mendohej se kishte kundërshtuar atë që po ndodhte.

Dënimet shkaktuan protesta të gjera dhe thirrje që Spanja t’u bashkohet dhjetëra vendeve të tjera në Evropë, të cilat e përkufizojnë përdhunimin si “seks pa pëlqim”, sipas një analize të vitit 2020 nga Amnesty International.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore