Shqipëria

Vetëm 400 shqiptarë janë vaksinuar jashtë vendit dhe kanë marrë “green pass” shqiptar


Në Shqipëri, që prej fillimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, janë kryer 2 milionë e 411 mijë e 659 inokulime me vaksinat e autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në këto shifra, numri i të vaksinuarve plotësisht, është në mbi 1.1 milionë. Ndërsa, një pjesë e vogël, kanë përfunduar vetëm gjysmën e procesit, me një dozë të marrë.

Sakaq, rreth 140 mijë persona, kanë kryer edhe dozën përforcuese, të njohur si “booster”. Pra, tre injektime vaksinash, në një proces që evropian po fillojnë ta quajnë si “super green pass”.

Kjo do të thotë se imunizimi nga virusi, është mbi 99% efektiv dhe ka shumë pak shanse të merret. Rrjedhimisht, edhe lejimi i aktiviteteve për këta persona, është i plotë.

Një lajm i mirë për shqiptarët e vaksinuar, erdhi kur autoritetet evropiane, e njohën certifikatën e vaksinimit të lëshuar nga shteti shqiptar. Mirëpo, kjo vetëm për dozat e njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Por, një opsion tjetër për shtetasit shqiptarë, ka qenë edhe ai i vaksinimit jashtë vendit, por i marrjes së një certifikate “green pass” në Shqipëri.

Pikërisht një statistikë e tillë, vjen për herë të parë në buletinin ditor të ministrisë.

Janë 400, qytetarët e parë shqiptarë të vaksinuar plotësisht jashtë vendit dhe të evidentuar nga mjekët e familjes nëpërmjet certifikatave të vaksinimit.

Pikërisht mbi bazën e këtyre të dhënave, tashmë dinamika e përditësimit të shifrave, do të ndryshojë.

Kjo, pasi në llogari, do të futen edhe shqiptarët e vaksinuar jashtë vendit, në mënyrë ditore.

Ndërsa, apelimi për të nxitur vaksinimin, vijon i njejtë nga instancat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore