Shqipëria

Vetëdorëzohet ish-drejtori i policisë së Lezhës, Henerigert Mitri


I shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK për dosjen “Revanshi”, Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë Lezhë, mësohet se është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës.

Emri i Mitrit u zbulua gjatë zhvillimit të operacionit “Revanshi” nga SPAK në maj të këtij viti.

Nga operacioni doli që Mitri në cilësinë e drejtorit të policisë së Lezhës zhvillonte aktivitete të paligjshme si të kultivimit të kanabisit dhe lojërave të fatit.

Atij iu caktua masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.

Mitri kishte akses si drejtor policie për koordinatat që Guardia di Finanzia do të bënte për kontrollet nga ajri dhe më pas nxirrte urdhrat për kryerjen e tyre.

Por, para se t’i firmosë këto urdhra për kontrolle, ai komunikonte me vartësin e tij, shefin e anti-trafiqeve Klodian Shahinin për ta pyetur se ku janë vendet që kanë mbjellë kanabis dhe para se Guardia Di Finanza të kryente kontrolle, hiqen bimët narkotike dhe trafikantët largohen.

Një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë ishte edhe Elson Reçi.

Nga operacioni i SPAK u firmosën 50 urdhër-arreste për shtetas brenda dhe jashtë vendit, ku u goditën shtatë grupe kriminale dhe u zbardhën disa ngjarje.

Bisedat në Sky ECC zbardhën aktivitetin e Mitrit, i cili akuzohet se drejtonte aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve.

Bazuar në hetimet e SPAK, dyshohet se Mitri, në bashkëpunim me persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.

Po ashtu në bashkëpunim me shtetasin Pëllumb Gjokën, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.

Në kohën kur u shpall në kërkim nga SPAK, Mitri mbante funksionin e specialistit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore