Shqipëria

Vendore 2023: Përplasje shifrash mes “përditësimit” dhe atyre “reale”


Pjesëmarrja tepër e ulët ka qenë kryefjala e ditës së votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Por dalja publike e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për përditësimin e orës 17:00 krijoi një përplasje të vërtetë mes shifrave të raportuara online nga KQZ-ja dhe atyre reale të pjesëmarrjes në procesin e votimit.

Sipas shifrave të pasqyruara në faqen e KQZ-së, deri në orën 18:00, vetëm 36.39 për qind e qytetarëve me të drejtë vote u janë drejtuar kutive.

Kjo, referuar 2 mijë e 662 qendrave të votimit të raportuara nga 5 mijë e 213 në total për 694 mijë e 836 zgjedhës.

Në fakt, kryekomisioneri bëri me dije se raportimet reale kanë ardhur nga 4 mijë e 497 qendra votimi nga 5 mijë e 213 qendra gjithsej për 998 mijë votues lidhur me ata që janë identifikuar elektronikisht (93 për qind).

Shifrat tregojnë se numri i zgjedhësve duhet të jetë shumë më i lartë nga sa është reflektuar gjatë ditës (më shumë se 1 milion).

Një apel ka shkuar nga të gjitha forcat politike, që qytetarët t’i drejtohen kutive dhe të mos dekurajohen në votime.

Puka mbetet bashkia ku është votuar më shumë, me 52.38% të votuesve, të cilat e kanë shprehur vullnetin e tyre.

Me pjesëmarrje të lartë janë edhe Pusteci, Skrapari dhe Kukësi.

Finiqi mbetet bashkia me numrin më të ulët të pjesëmarrjes, e cila ndalet në 17.94%.

Probleme të mëdha megjithatë janë raportuar në gjithë vendin, sa i takon identifikimit elektronik të votuesve.

Kjo, pasi në shumë qendra votimi është bllokuar procesi i votimit për shkak të problemeve me votimin elektronik.

Gjithashtu edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka vendosur që në ato qendra votimi ku ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik, duke bllokuar kështu procesin, gjithçka do të vijojë manualisht.

Një sfidë kjo e lajmëruar më herët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të kohës së shkurtër të trajnimit të operatorëve teknikë, apo edhe mungesës tërësore të tyre.

Sipas raportimeve të para nga qendrat e votimit në gjithë vendin, procesi ka hasur vështirësi sa i takon identifikimit elektronik.

Madje, edhe vetë Celibashit i ka ndodhur një skenar i tillë, ku pajisja e njohur si (PEI), nuk ka punuar siç duhet.

Ai menjëherë ka premtuar zgjidhjen e problemit duke zëvendësuar pajisjet në qendrën e votimit ku edhe ushtron të drejtën e votës, duke njoftuar po ashtu se të tilla ngërçe janë normale.

Sipas vetë komisionerëve në atë qendër votimi, problematika lidhej me baterinë e pajisjes.

Po ashtu, në tre bashkitë ku votohet elektronikisht, Elbasan, Kamëz dhe Vorë, janë raportuar probleme dhe vonesa në fillimin e procesit.

Në Dibër, janë raportuar 10 qendra votimi të zonës së Klosit, ku nuk punon lexuesi elektronik.

Operatorët teknikë, sipas raportimeve, mungojnë në mbi 100 qendra dhe nuk dihet si do të vijohet.

Bashkia Shkodër ka pasur po ashtu ngërç në këtë proces në mbi 80 qendra.

Vlora, Lezha, Shijaku, Fieri, Pogradeci, të gjitha këto bashki kanë pasur probleme po ashtu me sistemin PEI.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore