Kosova

Vendimi për shpalljen e dy organizatave terroriste u bë pa bazë ligjore – Çka është grup terrorist e përcakton gjykata, jo Qeveria


Foto: Albanian Post.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i marrë me 29 qershor, për të shpallur “Mbrojtjen Civile (Civilna Zastita)” dhe “Brigadën e Veriut (Severna brigada)” si organizata terroriste nuk bazohet në ndonjë ligj i cili përcakton kushtet dhe rrethanat kur një grup duhet të shpallet i tillë thonë ekspertët juridikë për Albanian Post.

Kjo pasi në Kosovë s’ka ndonjë ligj të veçantë që tregon se kur një organizatë duhet të shpallet si “terroriste”.

Kur u morë vendimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u përmend se në cilin ligj është i bazuar miratimi i vendimit të tij. Prandaj Qeveria në arsyetim cekë vetëm disa rregullore që burojnë nga Ligji për Qeverinë e Kosovës dhe në disa strategji qeveritare për parandalimin dhe luftën e terrorizimit, por jo edhe në ligj specifik që sqaron vendimin.

Ekspertët thonë se Qeveria s’ka pasur si t’i referohet një ligji për këtë çështje, sepse as që ka një “normë konkrete” të cilës mund t’i referohesh. Për këtë arsye, shpallja terroriste e këtyre organizatave do të duhej të shkonte nëpër institucione të drejtësisë në Kosovë e jo të ndërmerrje nga Qeveria.

Edhe njohësi i fushës së Drejtësisë, Arbër Jashari, tregon në një përgjigje për Albanian Post se kur Qeveria e ka marrë këtë vendim është bazuar vetëm në rregulla të brendshme dhe në Strategjinë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizimit.

Por, sipas tij, nuk mund të kuptohet se kur një organizatë i plotëson rrethanat që të shpallet organizatë kriminale.

“Kosova nuk e ka ndonjë ligj të veçantë, i cili do të përcaktonte kushtet dhe rrethanat kur një organizatë do të duhej të shpallej terroriste dhe procedurat që do të duhej të ndiqeshin nga organi kompetent”.

“Vendimi i Qeverisë i datës 29.06.2023, nuk ka mbështetja në ndonjë normë konkrete, që rregullon këtë çështje, por në disa rregullore te brendshme të karakterit procedural dhe në Strategjinë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizimit 2023-2028, e cila është miratuar po te njëjtën mbledhje të ekzekutivit”, thotë Jashari për AP.

Veriu i Kosovës.

Si do të duhej ligjërisht të shpallej një organizatë terroriste, sipas ligjeve?

Jashari tregon se kur një organizatë shpallet terroriste procedura bëhet përmes tri ligjeve.

Kurse për veprat penale të një personi ose një grupi ato përcaktohen nga gjykata për të cilat duhet të ndiqen procedurat gjyqësore.

“Kosova ka tri ligje me anë të cilave luftohet terrorizmi. Kodi penal është ligji bazik i cili përkufizon terrorizimin si nocion, grupin terrorist dhe definon mbi 10 vepra penale që lidhen me terrorizimin”.

“Se çka është vepër penale terroriste, grup terrorist, e përcakton gjykata në procedurë gjyqësore, pas administrimit të provave në raste penale konkrete”.

Ndërsa një ligj tjetër ka të bëjë me parandalimit e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

“Kosova ka gjithashtu një ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit dhe Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”.

“Jashtë kësaj kornize ligjore, nuk ka diçka tjetër”, thotë Jashari për AP.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” do të duhej të shpalleshin terroriste nga ndërkombëtarët

Kurse, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, e shpjegon për Albanian Post një version tjetër se si përcaktohet shpallja e grupeve të caktuara si terroriste.

“Qeveria kur ka shpallur këto organizata si terroriste është bazuar në disa fakte. Faktin që këto organizata lënduan pjesëtarë të KFOR-it, gazetarët e Policët e Kosovës, në mënyrë të organizuar”.

Gashi, pohon se në këtë rast do të duhej që Bashkësia ndërkombëtare t’i shpallte këto organizata terroriste për shkak të veprimeve joligjore që kishin bërë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Sepse Kosova “nuk ka ndonjë ligj të caktuar për shpalljen e organizatave terroriste edhe pse Qeveria e Kosovës, i ka shpallur të tilla”.

Ilustrim.

Sipas saj, “në aspekte normale do të duhej Bashkësia Ndërkombëtare t’i shpallte këto organizata si terroriste”.

Ndërsa, sipas rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe sipas marrëveshjes ushtarako-teknike të arritur në Kumanovë, në qershorin e vitit 1999 pas përfundimit të ndërhyrjes së NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë dhe tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova – KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

Prandaj, ajo thotë se në këtë rast do të duhej të ishte i përfshirë edhe KFOR-i.

“KFOR-i do të duhej të ishte deklaruar për shpalljen e këtyre organizatave si terroriste”.

“Vendimi është joserioz dhe jobindes”

Kurse, sipas këshilltarit të lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj, në një bisedë për Albanian Post thotë se vendimi megjithatë është i bazuar në nene të Kushtetutës dhe nene të rregulloreve të Qeverisë.

“Duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2021 dhe me Rregulloren Nr. 03/2022, në pajtim me nenin 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/2011, dhe duke u bazuar në Strategjinë Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit 2023-2028 dhe Planin e Veprimit 2023-2025”, thotë ai për Albanian Post.

Por, megjithatë sikurse potencoi avokatja Gashi, edhe Nrecaj deklaron se ky vendim do të duhej të ishte në bashkëpunim me shtetet e tjera.

Flamuri i Kosovës dhe Bashkësia Ndërkombetare.

“Çështja konsiston ne faktin se a ka qenë ky vendim i argumentuar se subjektet ne fjalë a kanë qenë kërcënim për sigurinë dhe rendin e integritetit territorial te Republikës se Kosovës, se a kanë kryer vepra terroriste për t’i shpallur subjektet te tilla si organizata terroriste?”.

“Një vendim i tillë behët gjithmonë në harmoni dhe kundrimin edhe me shtetet tjera të cilat në mënyrë që në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit të i  harmonizoj veprimet konkrete në parandalimin e terrorizmit”.

Prandaj, sipas Nrecaj, ky vendim është “joserioz” dhe “jobindës”.

“Ne anën tjetër kemi veprime kundërthënëse nga qeveria sepse në publik u raportua se të njëjta organizata janë mbështetur financiarisht nga buxheti i Kosovës. Andaj, vendimi rezulton të jetë jo shume serioz dhe bindes bazuar mbi kornizën ligjore që është thirrur ky vendim”.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës i kishte shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada).

Kjo me arsyetimin e veprave kriminale që kishin kryer në Veriun e Kosovës që nga 26 maji.

Edhe pse Qeveria e Kosovës me vendim e ka shpallur organizatë terroriste “Mbrojtjen Civile” apo e njohur si “Civilna Zastita”, i paguan nga buxheti i shtetit afër 500 pjesëtarë të së njëjtës organizatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore