Kosova

Vendimi i Kushtetueses për çmimet tavan, ironia e Abdixhikut me Qeverinë: Çfarë mend kanë, do ankohen


Lumir Abdixhiku

“Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur si anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për çmimet tavan, apo “Ligji nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”.

“Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kreu i LDK-së kujtoi kohën kur kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij mburreshin me këtë ligj, derisa vlerësoi se “kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë”.

“Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj”.

“Çfarë mend kanë”, ironizoi Abdixhiku me pushtetin, “do të ankohen – sikurse deri më tani – se si një ligj antikushtetues nuk zë vend”.

“Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre”.

Për ne, tha Abdixhiku, pra LDK-në, “Republika mbetet mbi të gjitha”.

Çka vendosi Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për çmimet tavan, apo “Ligji nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”.

Lënda u dërgua në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim nga Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se ligji bie ndesh me tri nene të Kushtetutës së Kosovës.

Ligji “shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, sqaron vendimi.

Janë plotë katër nene të ligjit anti-kushtetuese, sipas vendimit dhe ka shkelje në 11 paragrafë të katër neneve të ligjit të sponsorizuar nga Qeveria.

“Gjykata ka vendosur njëzëri të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të  Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Prandaj, Gjykata vendos të “konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kështu që ligjin Kushtetusja vendos ta “shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij”.

Ligji i sponzorizuar nga Qeveria e Kosovës e që Gjykata Kushtetuese e shpalli si të pavlefshëm për shkak të shkeljeve kushtetuese kërkonte që të rregullonte caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg.

Gjithashtu, synohej që përmes këtij ligji të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit të masave ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë, me idenë që eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesa e produkteve themelore në treg.

Ligji parashihte edhe shkaqet në kuadër të të cilave mund të vendosen masat e përkohshme mbrojtëse, duke mundësuar arbitrarisht që të përcaktohet kufizimin e sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, të ndalohet largimi nga shitja e produktit, të bëhet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë e të tjera që kishin të bënin me disa detyrime që do ia mundësonin qeverisë mbi operatorët ekonomikë.

Opozita e kishte dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, sepse pretendonin se Ligji i kontestuar përbën ndërhyrje në ekonominë e lirë të tregut të garantuar, përçka vendimi i Gjykatës tashmë iu dha të drejtë.

Gjykata vendos: Qeveria e ka shkelur 11 herë Kushtetutën me Ligjin e Çmimeve Tavan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore