Sport

Vendimi i GJED, UEFA: Gjykata e BE-së nuk miratoi Super League


UEFA ka reaguar mbi vendimin më të fundit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), se qeveria e futbollit evropian dhe FIFA kanë monopol garat dhe se pozita e tyre është, pothuajse, abuzuese ndaj klubeve.

Vendimi i GJED ka shkaktuar furtunë në futboll dhe pritet që të ketë ndryshime shumë të mëdha në të ardhmen. Megjithatë, UEFA duket e qetë, pasi vendimi, sipas tyre, nuk ishte një miratim për krijimin e Super League, rivalit më të fuqishëm të qeverisë së futbollit evropian.

“UEFA merr parasysh vendimin e lëshuar sot nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në rastin e Super League Evropiane”, deklaron UEFA.

“Ky vendim nuk paraqet miratim apo vërtetim të të ashtuquajturës Super League, përkundrazi, ai thekson një boshllëk, një aspekt teknik që tashmë është njohur dhe trajtuar në qershor 2022”.

“UEFA ka besim në qëndrueshmërinë e rregullave të saj të reja dhe, në veçanti, në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret përkatëse evropiane”.

“UEFA mbetet e vendosur në angazhimin e saj për të mbështetur piramidën evropiane të futbollit, duke siguruar që ajo të vazhdojë t’i shërbejë interesave më të gjera të shoqërisë. Ne do të vazhdojmë të formësojmë modelin evropian të sportit kolektivisht me shoqatat kombëtare, ligat, klubet, tifozët, lojtarët, trajnerët, institucionet e BE-së, qeveritë dhe partnerët”.

“Ne besojmë se piramida evropiane e futbollit e bazuar në solidaritet, e shpallur e domosdoshme nga tifozët dhe të gjithë palët e interesuara, do të ruhet kundër kërcënimit të ndarjeve, në përputhje me ligjet evropiane dhe kombëtare”, thekson UEFA në deklaratën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore