Kosova

Vendimi i BE-së, për pasaportat ilegale/Musliu-Shoshi: Ashtu siç thoshte Kadri Veseli, “Kurti po e kthen Serbinë në Kosovë”


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian që vendosi t’i njoh pasaportat e Serbisë që lëshohen për serbët e Kosovës duke thënë se Qeveria Kurti mundësoi që përmes politikave anti-kombëtare të këtë ndërhyrje nga vetë ata në sovranitet të shtetit.

“Qeveria e Kosovës, me politika anti-kombëtare dhe mungesë të skajshme kompetence ka mundësuar, thënë edhe nga vetë ata, “ndërhyrje në sovranitet të shtetit”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndër të tjera, ka kujtuar edhe një frazë të ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

“Fraza e kryetarit Kadri Veseli, thënë në parlamentin e Kosovës se “Albin Kurti do ta sjellë Serbinë në Kosovë” nuk është më veç një parashikim fatkeq për shkak të njohjeve të Veselit”.

“Me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të njohur pasaportat ilegale të Serbisë që i lëshon për serbët e Kosovës, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, tashmë kemi të bëjmë me një fakt”.

Musliu-Shoshi, ka kërkuar që kjo Qeveri të ndalet me çdo kusht.

Pasi sipas saj, “dëmet janë çdo ditë e më të pariparueshme”.

Bashkimi Evropian morri vendim që të ua heq vizat serbëve me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën.

Nga institucionet e Kosovës akoma s’janë deklaruar rreth këtij vendimi të marrë nga Bashkimi Evropian dhe akoma nuk dihet se përse BE-ja morri vendim që t’i njeh pasaportat ilegale të Serbisë, nëse numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës nga ana e serbëve ishte aq i lartë sa thuhej nga MPB-ja.

Ndërsa në kohën kur Parlamenti Evropian kishte propozuar njohjen e pasaportave ilegale që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, e ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”, Qeveria e Kosovës kishte dalur e shqetësuar me një deklaratë ku pohonte se po të ndodhte kjo atëherë është “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.

Atëherë Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore