Kosova

Vendimi i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale, Tahiri: Ndodhi sepse Qeveria ishte e zënë në ngulfatjen e mediave


Besnik Tahiri

Vendim i Bashkimit Evropian për të njohur pasaportat ilegale të serbëve të Kosovës, sipas Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), paraqet “një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë.

“Ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes, dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës nga ana e strukturave serbe”, shkroi Tahiri në Facebook.

Kjo, në prizmin e tij, nuk ka asgjë të bëjë me të drejtat e njeriut dhe as me ofrimin e mundësive të barabarta, “sepse ato i ofron Kosova në nivelin më gjithëpërfshirës dhe më ekskluziv për serbët e Kosovës”.

“Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së”, mendon.

Kjo ndodhi, shton Tahiri, sepse krerët tanë institucional, “ishin të zënë me ping pongun me temën e Asociacionit”.

“Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi!”, përfundoi.

Për vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e vizave të serbëve të Kosovës, që kanë pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia, në të cilat Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, krerët e shtetit nuk kanë marrë fare përgjegjësi, por vetëm kanë hedhur akuza dhe i kanë dhënë leksione Unionit se sa i dëmshëm është ky vendim.

Të gjithë njëzëri kanë thënë se vendimi i BE-së dëmton karakterin multetnik të shtetit kosovar dhe saboton procesin e integrimit të komunitetit serb.

Njohja e pasaportave ilegale të serbëve, krerët e shtetit vetëm akuza ndaj BE-së, s’marrin përgjegjësi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore