“Vendimet tona janë të detyrueshme për të gjithë”, Gjykata Kushtetuese për Albanian Post, rreth vendimit për ministren Nagavci

Ilustrim

Valon Rashiti
26.04.2022 7:30
Loading Icons...

Çfarë ndodhë kur një ministre tejkalon kompetencat e saj në ushtrim të detyrës dhe ky tejkalim konstatohet nga Gjykata Kushtetuese e vendit?

Në një shtete demokratik fillimisht pason shkarkimi i ministres si veprim politik dhe pas vazhdohet me ndjekje penale për shkeljen e aktit më të lartë juridik të një shteti.

Në Kosovë? Në Kosovë nuk ndodhë asgjë.

“Bazuar në nenin 116 të Kushtetutës të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në një përgjigje për Albanian Post, megjithatë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, nuk e ka trajtuar kështu shkeljen e saj për tejkalim të kompetencave të ministrisë dhe për cenim të përgjegjësisë së pushtetit komunal, kur ndërpreu reformën e arsimit të ndërmarrë nga ish-kryetari i komunës në Kamenicë, Qëndron Kastrati.

Vendimi i Kushtetueses as nuk komentohet, vetëm pranohet, por ministrja Nagavci përtej komentimit e ka kundërshtuar atë.

Megjithëkëtë, nuk ka pasuar ndonjë reprezalje – as politike e as institucionale.

Ajo vazhdon të jetë ministre, njëjtë siç ishte para vendimit të Gjykatës.

Për komentin e ministres, Gjykata Kushtetuese ka dërguar përgjigje për Albanian Post, ku thuhet se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 116.1 të saj, përcakton se të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin, për institucionet dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Rrjedhimisht, edhe për ministren Nagavci.

Por jo. Ministria që drejton Nagavci pas vendimit të Kushtetueses, kishte lëshuar një njoftim për media rreth vendimit “KO145/21”, ku thuhej se “MAShTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar”.

Të pyetur nga AP për komentet e ministrisë rreth vendimit që kanë nxjerrë, nga Kushtetuesja kanë thënë se, si gjithmonë, “Gjykata nuk komenton përmbajtjen e aktgjykimeve të saj dhe kjo vlen edhe për sa i përket komenteve të palëve në rastin KO145/21”.

Megjithatë, gjatë shqyrtimit të rastit, thuhet se “të gjitha argumentet e palëve janë të trajtuara në Aktgjykimin e publikuar”.

Për vetë njeriun që dërgoi vendimin e ministres në Kushtetuese, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, pas vendimit, “më e pakta që duhet të bëhej është shkarkimi i znj. Nagavci”.

“Është vërtetuar që ka ndërhyrë jashtë kompetencës së saj, pra ka tejkaluar kompetencën. Në shtete demokratike kjo gjë ndiqet edhe penalisht, sepse ka prishur rendin shtetëror”, ka thënë ai kur është pyetur nga Albanian Post.

“Po e rikujtoj që veprimi i znj. Nagavci dhe sjelljet e Kryetarit aktual të Kamenicës kanë devijuar vullnetin për drejtimin që ka marr Kamenica në zgjedhjet e fundit. E para me shkelje Kushtetuese dhe i dyti tashmë kishte pranuar fajësinë dhe ka kërkuar nga prokuroria të negociojnë dënimin”.

Qëndron Kastrati

“Ky është një precedent i rrezikshëm që në të ardhmen mundet me pas sjellje të tilla të vazhdueshme kur Ministrat në kohë fushatash zgjedhore tejkalojnë mandatin që vetëm të ndikojnë në rezultatin zgjedhor”.

Kastrati mund të jetë subjektiv, sepse është një nga palët në këtë rasti. Ishte ai që fillimisht e filloi reformën në arsim në Kamenicë, ku me qëllimin e krijimit të klasave me nxënës në numër të caktuar, mbylli disa shkolla që kishin klasë me nga 2-3 nxënës.

Por, edhe ish-ministri i drejtësisë dhe juristi, Selim Selimi, ka të njëjtin mendim.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme”, thotë ai për Albanian Post.

“Edhe pse Gjykata nuk ka mekanizëm detyrues është punë e Prokurorisë që të hapë hetim dhe të ndjekë çdo bartës të institucionit që vërtetohet se ka shkelur Kushtetutën. Kallëzimi penal i z. Kastratit është pikënisja e hetimit dhe ndjekjes së shkelësve të Kushtetutës”.

Selim Selimi

Por, sipas Selimit, edhe nëse nuk do të bënte askush kallëzim penal, “prokuroria do të duhej ex-officio të ndiqte të gjithë që deklarativisht e shprehin dashjen se nuk do të implementojnë vendimet e gjykatës Kushtetuese si në rastin e Ministres së Arsimit”.

Megjithatë, deri më tani nuk ka filluar kurrfarë hetimi dhe as nuk ka indikacione se do të fillojë së shpejti, përkundër se po bëhen tri javë (nga 11 prilli) prejse Kushtetuesja ka marrë vendimin.

Nga Qeveria e Kosovës, të pyetur nëse kryeministri e ka ndërmend të shkarkojë ministren për shkeljen e bërë, nuk kanë dashur të japin përgjigje.

Të fundit

Aktuale