Lajme

Vendet e BE-së duhet të rrisin besimin e popullit për AstraZeneca-n


Brukseli i ka bërë thirrje, të enjten e 8 prillit, 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të fituar besimin e publikut, duke i bindur me përgjigjet e studimeve nga ekspertët, se mpiksjet e gjakut janë një efekt anësor i rrallë i vaksinës Oxford/AstraZeneca.

Në një takim të ministrave të Shëndetësisë dhe zyrtarëve nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), këmbëngulën se vaksina duhet të përdoret gjerësisht. Qeveritë e BE-së u ndanë rreth asaj se çfarë kufizimesh duhet të vendosen për përdorimini e saj.

Komisioneri i Shëndetit të BE-së, Stella Kyriakides, tha në një deklaratë pas takimit se ishte jetike që të formohej një politikë e përbashkët, duke pasur parasysh besimin e lëkundur të publikut me vaksinën.

“Siguria e vaksinave tona ka qenë gjithmonë kryesore në strategjinë tonë. Vlerësimi i sotëm tregon se sistemi ynë i rrjetit farmaceutik funksionon. Efektet anësore të dyshuara raportohen shpejt, informacioni ndahet dhe ekspertët tanë bashkohen shpejt për të vlerësuar të gjitha provat në dispozicion”.

Ajo shtoi se vendimet e tyre bazohen në punën shkencore të EMA-s.

“Një vlerësim rigoroz, të vazhdueshëm të rreziqeve dhe përfitimeve. Unë sot u kam bërë thirrje ministrave të shëndetësisë të ndjekin një qasje të koordinuar në të gjithë Evropën për të përmirësuar besimin e publikut”.

EMA kishte theksuar në gjetjet e saj të mërkurën se përfitimet e vaksinës Oxford/AstraZeneca vazhdojnë të tejkalojnë rrezikun dhe se nuk kishte asnjë provë për të justifikuar kufizimin e administrimit të vaksinës për grupmosha specifike.

Pavarësisht nga përfundimi, rreth 17 shtete anëtare kanë vendosur kufizime në përdorimin e tij. Belgjika është e fundit që thotë se do të administrojë vaksinën vetëm për ata mbi 55 vjeç në muajin e ardhshëm.

Rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu ka rekomanduar që njerëzit e shëndetshëm nën 30 vjeç duhet të pajisen me një vaksinë tjetër kur është e mundur.

Ministrja e Shëndetësisë në Portugali, Marta Temido, e cila aktualisht mban presidencën BE-së, tha se vendet anëtare duhet të ndjekin këshillat shkencore dhe të krijojnë një politikë të përbashkët.

“Ky është një vendim teknik. Nuk është një vendim politik. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim informacionin më të mirë shkencor të dhënë nga EMA. Ne nuk duhet të harrojmë se vendimet individuale prekin të gjithë ”.

Çfarë ka deklaruar EMA deri tani për AstraZeneca-n?

EMA, më 7 prill ka zbuluar lidhjen e mundshme të vaksinës së Oxford-it, AstraZeneca, me rastet shumë të rralla të mpiksjes së gjakut tek pacientët me trombocite të ulëta gjaku.

Komiteti i Sigurisë i EMA-s doli në përfundimin se disa mpiksje gjaku të pazakonta, mund të ndodhin për shkak të vaksinës britanike.

Shumica e rasteve është regjistruar tek gratë nën moshën 60 vjeç.

Nga ana tjetër vende si Gjermania, Franca, Holanda, Kanadaja kufizuan përdorimin e vaksinës te të moshuarit.

Norvegjia gjithashtu do të rishikojë politikat që do të ndjekë për vaksinën britanike. Shteti nordik pritet të vendosë më 15 prill mbi vazhdimin e vaksinimit me doza nga AstraZeneca.

Ndërkohë, më 27 mars, shumica e vendeve që kishin ndërmarrë ndalimin e vaksinimit me AstraZeneca-n, e kanë rifilluar pas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore