Sport

Veliaj, takim me homologët nga Roma dhe Rotterdami: Sot duhet të fitojë sporti


Teksa na ndajnë më pak se 30 minuta nga finalja e madhe e “Conference Legue” mes Romës dhe Feyenoord në stadiumin “Air Albania”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrë dy homologët e tij, kryetarin e Bashkisë së Rotterdamit, Ahmed Aboutaleb, dhe kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri. 

Në fjalën e tij, Veliaj dha mesazhin se sot duhet të fitojë sporti, qytetaria dhe respekti, ndërsa u bëri thirrje tifozëve të dy skuadrave që të festojnë me masë. 

“Është kënaqësi e veçantë që jemi bërë të tre kryetarët e bashkisë, bashkë këtu në Tiranë. Ne duam që sot të fitojë sporti, të fitojë qytetaria, të fitojë respekti”. 

Veliaj këshilloi tifozët që të kontrollojnë veten e tyre dhe të respektojnë qytetin dhe njëri-tjetrin. 

”Pije me masë, festimin me masë, të bërtiturat me masë dhe sigurisht respektin për qytetin edhe për ekipet kundërshtare”.

Ai solli në vëmendje se “sigurisht që një ekip do të fitojë, por është shumë e rëndësishme që, përtej kupës, të jenë kujtimet ato që do të mbeten në jetë. Dhe ne të tre dhe Tirana, Rotterdami dhe Roma jemi të përkushtuar që kjo të jetë një histori suksesi”. 

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, tha se është një festë e madhe sporti, miqësie dhe solidariteti që duhet shijuar sa më shumë.

“Është një gëzim i madh për mua të jem këtu në Tiranë, i ftuar i kryebashkiakut, së bashku me kryebashkiakun e Roterdamit, në këtë festë të madhe sporti, miqësie, dhe solidariteti”.

Ai u bëri thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë vlerat dhe principet e sportit.

“Sporti është i bukur sepse i afron njerëzit dhe ndaj duam që kjo të jetë një festë. U bëjmë thirrje tifozëve që ta shijojmë sa më shumë këtë festë të bukur sportive”, përfundoi Gualtieri. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore