Përballje

Vedat Muriqi shënon përsëri, por Mallorca mposhtet nga Betis


Real Betis ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në luftën e tyre për pozitën Champions.

Skuadra e drejtuar nga Manuel Pellegrini, sot ishte pritëse e skuadrës së Vedat Muriqit, Mallorca-s.

Real Betis, që po kalon një formë mjaft të mirë muajve të fundit, e vazhdoi atë formë edhe sonte.

Skuadra andaluziane ka bërë një hap të madh sot, duke fituar një ndeshje shumë të vështirë përballë Mallorca-s.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit.

U desh të pritej 25 minuta për të parë golin e parë, kur Canales me një lëvizje shumë të bukur e gjeti të lirë në zonë Moreno-n që shënoi për 1-0.

Pjesa e mbetur e ndeshjes ishte pak a shumë kontroll total i Betis-it, që në kërkim të golit të dytë u ndëshkua në kundërsulm.

Një harkim i bukur në zonë nga Jaume Costa, gjeti kokën e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, që shënoi për 1-1 në minutën e 75-të.

Ky ishte goli i dytë i Muriqit që nga ardhja në La Liga, me sulmuesin dardan që ngadalë po rikthen formën e mirë.

Mirëpo, tetë minuta më vonë, Battaglia shkaktoi penallti, të cilën në gol e shndërroi Willian Jose për fitoren e Betis.

Para derbit me Sevilla-n, Betis është afruar në pesë pikë me rivalët, duke u ndodhur me 46 pikë në vendin e tretë.

Mallorca mbetet në vendin e 16-të me 26 pikë, gjashtë më shumë se zona e kuqe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore