Kosova

Vdes Andrew Strong, një nga avokatët e Kadri Veselit në Hagë


Andrew Strong

Ka vdekur këtë të hënë një nga avokatët e ekipit të Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, Andrew Strong.

Lajmin për vdekjen e Strong e ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Facebook, ish-këshilltari i Veselit, Avni Bytyçi.

Strong ishte pjesë e rëndësishme e ekipit të avokatit kryesor të Veselit, Ben Emmerson.

“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli”, shkroi Bytyçi në Facebook.

“Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njeriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën”, është përshkrimi i Bytyçit për Strong.

Strong, për shkak të angazhimit të tij në procese kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është quajtur shpesh si “avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë.

Strong ishte edhe njohës i gjuhës shqipe.

May be an image of 2 people
Haradinaj dhe Strong, vite me pare

Për vdekjen e Strong Haradinaj ka shkruar në Facebook se ndjehet tejet i pikëlluar.

Ai e ka quajtur avokatin “një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi”.

Haradinaj shkroi se si Strong iu bashkangjit ekipit mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore