Vdekja e ish-Papa Benediktit errëson Vitin e Ri në Vatikan

SHFLETO
albanianpost
01.01.2023 13:45
Loading Icons...

Papa Françesku shënoi Ditën Botërore të Paqes tradicionale të Kishës Katolike Romake të dielën, por fillimi i vitit të ri në Vatikan u errësua nga vdekja e paraardhësit të tij Benediktit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Françesku kryesoi një meshë në bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa trupi i Benediktit, i cili vdiq të shtunën në moshën 95-vjeçare, u përgatit për një shikim publik tre-ditor në të njëjtën kishë duke filluar nga e hëna.

Sipas dëshirës së Benediktit, varrimi i tij do të jetë i thjeshtë, solemn dhe i matur.

Do të jetë hera e parë në shumë shekuj që një papë do të kryesojë funeralin e paraardhësit të tij.

Benedikti, i cili dha dorëheqjen në vitin 2013, ishte Papa i parë që dha dorëheqjen në 600 vjet.

1 janari është gjithashtu festa e Zojës dhe në predikimin e tij Françesku i kërkoi Zojës që të shoqëronte “të dashurin tonë” Papa Emeritus Benediktin “në udhëtimin e tij nga kjo botë drejt Zotit”.

Benedikti u kujtua edhe në një nga lutjet në meshë.

Ndërsa ish-Papa vazhdoi të merrte vlerësime nga liderët botërorë dhe besimtarët konservatorë, të tjerë kanë qenë jashtëzakonisht kritikë ndaj pontifikatit të tij.

Disa kujtuan disiplinën e ashpër që ai u imponoi teologëve përparimtarë, veçanërisht në Amerikën Latine, kur ai ishte kreu i departamentit doktrinor të Vatikanit nën Papa Gjon Pali II.

Këto veprime i shtynë katolikët liberalë ta quanin kardinalin e atëhershëm Joseph Ratzinger “Rottweiler i Zotit”.

Ndërsa disa e kanë vlerësuar Benediktin për marrjen e hapave të rëndësishëm për të zyrtarizuar përgjigjen e Vatikanit ndaj abuzimit seksual të klerit, grupet e viktimave e kanë akuzuar atë për mbrojtjen e institucionit me çdo kusht.