Gjykata Speciale

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Hashim Thaçi

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë edhe këtë të hënë (sot, 16 shtator).

Gjykimi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – rasti më i madh gjyqësor i të ashtuquajturës Gjykatë Speciale në Hagë – do të nisë sot në orën 09:00, ndërsa në bazë të kalendarit, seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën dhe të enjten e kësaj jave (17, 18 dhe 19 shtator).

Gjykata Speciale ka njoftuar më herët se trupi gjykues ka pranuar dëshmitë dhe provat me shkrim të nëntë dëshmitarëve në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”. Gjithashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 84 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 85-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore