Lajme

Vazhdon aksioni për sekuestrimin e alkoolit të prodhuar ilegalisht në Hoçë të Madhe, disa banorë revoltohen


Një numër i qytetarëve të nacionalitetit serb janë revoltuar pas aksionit të Policisë së Kosovës bashkë me Doganën e Kosovës për sekuestrimin e 42 mijë litrave alkool të prodhuar në mënyrë jo ligjore.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Albanian Post që aksioni i cili filloi të mërkurën ka vazhduar edhe këtë të enjte.

“Policia është në aksion që po vazhdon dje dhe sot për sekuestrimin e një sasie të alkoolit me kërkesën e Doganës së Kosovës”, ka thënë Elezaj për Albanian Post.

Revoltohen disa banore

Në një njoftim të mëhershëm të Doganës thuhet se pas një kontrolli rutinor tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit), zyrtarët kanë gjetur se përveç dyqanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës.

“Veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave”, thuhet në njoftim.

“Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës pêr mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave”.

Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme.

Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkoholi në sasi prej rreth 42 mijë litra.

Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit.

Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore.

“Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurrencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme”, shpjegon dogana.

Dogana e Kosovës ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokalë.

Tërheqja e mallit të ndalur përkohësisht kërkon kohë derisa të vendosen mallrat në mjete të përshtatshme transporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore