Lajme

Vazhdon aksioni “Brezovica” në katër komuna të Kosovës


Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës janë duke zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”.

Lajmin e ka bërë të ditur prokuroria përmes një komunikate dërguar mediave.

“Është duke e realizuar  një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Lipjanit”.

“Për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Teksa, “bastisja është në zhvillim të sipërm”, ka deklaruar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari për Albanian Post.

Pas përfundimit të aksionit nga Prokuroria është thënë se do të dalin me një njoftim zyrtar.

Pesë aksionet “Brezovica”

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Ndërsa, tre të dyshuarve në këtë rast, iu është caktuar masa e sigurisë, me të cilën iu është urdhëruar paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.

Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Fotografia e shkrepur në njërën nga aksionet në rastin “Brezovica”

Fillimisht në këtë aksion, me urdhër të prokurorit, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, ndërsa në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe disa pronarë të firmave, për shkak të dyshimit për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku ka thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës,  ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.

Por, më 4 prill, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, konfirmuan se Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ismet Asllani, pronar i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK”, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Tutje, më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.

Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.

Lidhur me këtë aksion, nga zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” dhe katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Aksioni “Brezovica” vazhdoi edhe më 16 mars 2022, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Ky aksion pritet të vazhdojë më tutje, ndërsa prokurori Rasim Maloku ka thënë se në këtë çështje askush nuk do të jetë i paprekshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore