Kosova

Vazhdojnë takimet në Bruksel


Foto nga arkivi

Në kryeqendrën evropiane, Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, këtë të enjte do të takohet me atë serb, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ky takim do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht të të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç njoftoi të mërkurën Qeveria e Kosovës, Bislimi udhëtoi për Bruksel, teksa kanë bërë të ditura edhe temat që do të trajtohen në këtë takim.

Në njoftimin e qeverisë, thuhet se në këtë takim do të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), si dhe plani i ri për ecjen përpara, i cili iu prezantua palëve nga “Pesëshja e Madhe” më 21 tetor.

“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Ky raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve, do të vazhdojë në vazhdën e “furisë” diplomatike evropiano-amerikane, të cilët po bëjnë përpjekjet maksimale për të arritur një zgjidhje kompromisi në mes të dy vendeve fqinje.

Si derivat i këtyre përpjekjeve erdhi draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kosova e ka pranuar.

Ndërsa, para këtij takimi Bislimi-Petkoviç, që do të mbahet të enjten, Emisari Lajçak ka qëndruar të martën në Beograd, ku ka zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, rreth një javë pas vizitës dyditore që e pati në Prishtinë, ku ka gjetur njëfarë pajtueshmërie për “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut dhe zbatimin “pa vonesa e parakushte” të marrëveshjeve të arritura.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, kishte shkruar Lajçak pas takimit me Bislimin në Kosovë.

Përveç Bislimit, në Kosovë, Lajçak kishte takuar edhe liderët e opozitës, të cilëve ua kishte prezantuar draft-statutin e Asociacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore