Lajme

Varret masive në qytetin ukrainas Mariupol


Në mediat e huaja qarkullojnë pamje të tmerrshme të varreve masive në qytetin ukrainas të Mariupol-it.

Disa prej tyre janë publikuar në gazetën “Associated Press’.

Në to shfaqen burra – disa me uniforma pune, të tjerë me kostume mbrojtëse blu – duke hedhur në një gropë trupa, të mbështjellë me qese plastike, çarçafë ose batanije.

Referuar fotoreporterit të gazetës, Evgeniy Maloletka, “40 trupa mbërritën të martën dhe të paktën 30 të tjerë të mërkurën”.

Prej ditësh, Mariupol-i është nën rrethimin e Forcave të Armatosura ruse. Gati 1 mijë e 300 civilë janë vrarë në qytet që nga fillimi i pushtimit rus.

“Me të vërtetë nuk mund ta kuptojmë se sa vdekje kemi. As nuk jemi në gjendje të numërojmë se sa njerëz në rrugë u vranë nga bombardimet dhe predha artilerie”, ka thënë nënkryetari i qytetit, Sergei Orlov.

“Nuk e dimë sa janë sepse nuk mund t’i mbledhim të gjithë trupat dhe t’i numërojmë”, ka shtuar ai.

Përballë numrit të madh të kufomave të ushtarëve dhe civilëve të vrarë gjatë sulmeve, punonjësit e bashkisë kanë hapur një gropë të thellë mbi 22 metra të gjatë në një kreshtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore