Lajme

Varianti Gryphon kalon në SHBA nga 4 në 41% në një muaj


Incidenca e variantit të ri të COVID-it XBB 1.5 , i sapo riemërtuar Kraken, një nënvariant i ri Omicron i lindur nga i ashtuquajturi Gryphon, vazhdon të rritet në SHBA.

Ekspertët nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (Cdc) vlerësojnë se XBB 1.5 ka kaluar nga katër për qind në 41 për qind të infektimeve në muajin e fundit .

Madje, në veri-lindje të vendit tani përbën 75 për qind të rasteve.

“Nuk kemi parë një variant që të ngrihet me atë shpejtësi për disa muaj”, ka thënë Pavitra Roychoudhury, nga laboratori i virologjisë i Universitetit të Washington-it.

Virologët mendojnë se ky variant mund të shkaktojë një valë të re të COVID-it në SHBA. Difuzioni i tij është fjalë për fjalë galopant.

Në fillim të nëntorit 2022, prania e XXB.1.5- Kraken ishte ende minimale, por në vetëm disa javë pati rritjen më të shpejtë ndonjëherë të një nënvarianti që nga Omicron 1.

XBB.1.5 u rrit në New York me 140 për qind në muajin e fundit dhe ka regjistruar një shkallë më të lartë të shtrimeve në spital sesa në valën e verës 2021.

“Nga të gjitha variantet, XBB.1.5 ka avantazhin më të madh të rritjes ndaj Omicron 5 dhe është në përgjithësi më i shpejti nga çdo variant që nga vala e parë e Omicron-it”, ka thënë Eric Topol, drejtor i Institutit Kërkimor Scripps të Kalifornisë.

Gryphon-XXB.1.5 përmban një mutacion të quajtur F486P, i cili shqetëson shkencëtarët jo vetëm për rritjen e tij më të madhe, por edhe për një aftësi më të madhe për të shmangur antitrupat neutralizues të shkaktuar nga vaksinat ose infektimet e mëparshme.

Sipas ekspertëve XBB.1.5 duket se ka lindur në SHBA. Ai u zbulua për herë të parë në New York dhe Konektikat në fund të tetorit.

Dhe në tetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë e përcaktoi nënvariantin Gryphon si “më imunoevaziv i identifikuar që nga fillimi i pandemisë”.

Sakaq, ai nuk duket se shfaq simptoma të tjera përveç atyre të njohura ose agresionit më të madh për momentin. Flitet për dhimbje të forta të fytit, kollë, lodhje, dhimbje të përhapura të kyçeve dhe muskujve me përfshirje më të madhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Meqenëse nënvarianti duket se është shumë i aftë në shmangien e mbrojtjes imune të shkaktuar nga vaksina, njerëzit më të rrezikuar janë njerëzit e dobët dhe të moshuarit, të cilët në përgjithësi vuajnë nga një rënie më e madhe në mbrojtjen e antitrupave.

Lajmi i mirë është se një studim nga Universiteti Emory, Universiteti Stanford dhe NIAID i botuar më 21 dhjetor në New England Journal of Medicine tregon se vaksinat bivalente të ARN-së përmirësojnë neutralizimin kundër varianteve nën Omicron duke përfshirë BA.2.75.2, BQ.1.1 dhe XBB.

Për këtë arsye, njerëzit më të dobët duhet të mbrojnë veten me një përforcues shtesë të vaksinës.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore