Kosova

Varga: Rusia u përgatit për një kohë të gjatë për “frontin e dytë” në Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

Boris Varga, politolog dhe gazetar boshnjak, gjithashtu vëzhgues i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të martën, konsideroi se Rusia, duke përdorur Serbinë, do të vazhdojë përpjekjet për ta destabilizuar rajonin dhe sfiduar aleatët e NATO-s, posaçërisht në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

“Rusia është përgatitur për një kohë të gjatë për të ashtuquajturin ‘front të dytë’ në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur idenë e rinovuar të ‘Serbisë së Madhe’ ose ‘botës serbe’ bazuar në modelin e ‘botës ruse’”, deklaroi Varga në një intervistë të fundit, derisa shtoi se perspektiva dhe rruga evropiane e vendeve të rajonit është në ngërç për shkak të ndikimit rus.

Varga përmendi edhe raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, ku intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u veçuan tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të territorit kosovar që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

“Ky vit filloi me një raport të shërbimeve të inteligjencës amerikane, i cili paralajmëroi për sfidat separatiste në Republikën Srpska dhe ripërtëritjen e konflikteve në Kosovë. Serbia është duke e tërhequr rajonin në drejtim të kundërt dhe ndikimi i Rusisë në rajon është rritur, së bashku me rrezikun e destabilizimit dhe krijimit të një ‘fronti të dytë rus’ në Evropë”.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore